Raporti i Departamentit të Shtetit për median dhe SYRI

Raporti i Departamentit të Shtetit për median dhe SYRI

18:08, 23/04/2024

Teksa pothuajse gjithë raportet ndërkombëtare për median në Shqipëri kanë qenë tejet krititike dhe indeksi i lirisë së medias është përkeqësuar dukshëm me disa shkallë, Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit në pjesën për median gjen vend, paradoksalisht dhe në mënyrë tendencioze të përfshijë dhe Syri Net, por jo si një nga të paktët ishuj lirie që ka mbetur në Shqipëri, po për habinë e të gjithëve nuk e përmend në cilësinë e medias së persekutuar, por në cilësinë e medias “persekutore”.

Në Raport thuhet: “sipas njoftimeve, menaxherët e lartë të medias private Syri.Net, monitoruan komunikimet e gazetarëve dhe redaktorëve…për t’u siguruar nëse ata respektonin prirjet e pronarëve”.

Ndonëse jemi krenarë që përfaqësojmë ndoshta të vetmen media opozitare të pakapur nga qeveria dhe interesat e saj, theksojmë se, Syri jo vetëm nuk ka censuruar (e aq më pak monitoruar) kurrë mendimin ndryshe nga linja e tij editoriale, as të aktorëve publikë, as të analistëve, e aq më pak të gazetarëve kurojazë dhe profesionistë, që pavarësisht presioneve, e kanë kthyer këtë media në monumentin e vetëm oponent ndaj qeverisë më të korruptuar në Europë.

Duke e marrë seriozisht për një moment atë që shkruhet në Raport, nuk mund të rrimë pa evidentuar faktin se burimi që citohet, bazuar në togfjalëshin “sipas njoftimeve” nuk është aspak serioz, përkundrazi.

Një raport serioz dhe profesional, do duhej patjetër të konsultonte minimumi dy burime, pra, do duhej të pyeste edhe në redaksinë e Syrit, dhe aty do të mësonte se asnjë punonjës nuk është pushuar nga redaksia, në gjithë këto vite të ekzistencës së Syri.Net, për arsye që lidhen me linjën editoriale.

Për të qenë më konkret, përgjatë gjithë historisë së kësaj medie, është pushuar nga puna vetëm një punonjës, dhe vendimi për largimin e tij, sipas ligjit dhe kontratës, nuk ka pasur asnjë lidhje me linjën editoriale.

Hartuesit e raportit në fjalë, jo vetëm nuk u interesuan për të mësuar të vërtetën, por u bazuan te “sipas njoftimeve”, qëllimisht dhe shumë larg së vërtetës, pikërisht nga ato media shërbëtore të pushtetit që Syri i ka denoncuar me fakte si përfitues të rregullt të parave të inceneratorëve, zaptues të hapësirave publike me favore tenderash qeveritare, si dhe të proceduar nga drejtësia si gjobvënës sipërmarrësish.

Raporti në fjalë, jo vetëm që është larg të qenit profesional dhe i bazuar në trillime, “sipas njoftimeve”, të atyre mediave shpifëse dhe që i shërbejnë verbërisht këtij regjimi duke gllabëruar paratë e taksapaguseve shqiptarë, por është dhe krejtësisht e padrejtë që medias, thuajse të vetme opozitare dhe më të respektuarës nga lexuesi nën këtë regjim, të tentosh t’i japësh rolin e persekutorit.

Nëse Raporti nuk do të bazohej në shpifje e burime të tipit, “sipas njoftimeve”, por do të kishte vërtetë qëllim raportimin real të gjendjes së medias në Shqipëri, do duhej të kishte konsultuar e hulumtuar sado pak burimet e hapura (publike) dhe do të mësonin për sulmet e pareshtura dhe gjobat krejtësisht arbitrare e me urdhër nga Edi Rama, të Drejtorisë së Tatimeve ndaj Syrit.

Do mjaftonte të shikonin një konferencë shtypi të Kryeministrit, ku Gazetarja Ambrozia Meta dënohet me muaj përjashtim nga konferencat e Edi Ramës, nga vetë ai. Ose të shihnin një rast tjetër ku e njëjta gazetare e Syrit sulmohet edhe fizikisht nga Kryeministri sepse atij nuk i pëlqejnë pyetjet e saj.

Lexo edhe: Skandaloze/ Edi Rama përjashton nga konferenca SYRI TV

Po ashtu do mjaftonte të shikonin një padi të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, ndaj Syrit, vetëm e vetëm se gazetari Bledian Koka pyeti një dëshmitar “A njeh Erjon Veliajn”.

Lexo edhe: VIDEO-SYRI TV/ Padia e Veliajt për 'SYRI TV' dhe Bledian Kokën, erdhi pasi gazetari i kërkoi intervistë

Do mjaftonte të shikonin në ekran çdo palë zgjedhje, ku gazetarët e Syrit ndalohen fizikisht të raportojnë nga bandat e pushtetit, mjafton të numërosh zarfet pa përgjigje drejtuar në vite qeverisë e dikastereve për informacion, ose tek e fundit do mjaftonte të lexonin deklaratat e disa nga organizatave me prestigjioze botërore për mbrojtjen e gazetarëve për sa më lart, për të kuptuar se ku e ka shtëpinë ai që urren median e lirë dhe ka çuar poshtë e më poshtë indeksin e lirisë së medias në vend.

Gjithsesi, nuk kemi ndërmend t’i qahemi askujt, por të vërtetën do e themi deri në fund, sidomos përpara atyre që na lexojnë e na shikojnë e vazhdojnë të shumifishohen çdo ditë. Sepse jemi një redaksi, unike në llojin e vet, me bashkëthemelues që nuk varemi as nga paratë e incenartorëve, as të oligarkëve, as të krimit të organizuar dhe mbi të gjitha as nga koncesionet, pronat publike apo taksat e vjedhura të shqiptarëve që Edi Rama dhe Erion Veliaj i ndajnë për të blerë e kontrolluar gjuhët e mediave që citon ky raport.

Ndaj, ska dyshim se, ata që punojnë për Syri.Net dhe Syri Televizion janë redaktorët, gazetarët e operatorët më të kërcënuar dhe keq paguar, por absolutisht më të lirët në këtë vend.

Ne jemi krenarë për atë që kemi bërë deri më tani, duke filluar nga denocimi i mega-aferës korruptive të incenaratorit të Tiranës, duke bërë publike komunikime elektronike dhe telefonike që implikojnë Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj: aferën korruptive të kompanisë “5D”: aferën korruptive të Eco Park Durrës me firmën e Kryeministrit Rama për familjarët e tij: aferën e Karlo Bolinos, i cili ka përfituar asete Shterërore me firmën e Kryeministrit etj.

Nëpërmjet denoncimeve tona për shitblerjen e votave sot kemi në gjykim kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla. Kemi denoncuar aferën e Teceve të Vlorës…Në fakt kjo është puna jonë e përditshme dhe ne do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë çdo ditë, me përkushtim e sakrificë për t’i treguar miliona lexuesve besnikë korrupsionin galopant të pushtetit.

Ndaj, ne urojmë që të pavërtetat e këtij raporti të mos shërbejnë si dritë jeshile për qeverinë më të korruptuar të Europës për të rritur presionet, për të eklipsuar pikërisht këto denoncime e ndoshta për të mbyllur të vetmen media opozitare në Shqipëri, ashtu siç ka bërë në fakt dhe me shumë media të tjera të cilat ky raport duket se i ka harruar.

 

Syri.Net

Syri - Televizion

Syri Juaj

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco