Kervan në Asamblenë Parlamentare: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në KiE

Kervan në Asamblenë Parlamentare: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në KiE

18:17, 16/04/2024

Deputeti i Republikës së Kosovës, Enis Kervan, ka thënë se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e të gjitha kritereve për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kështu deklaroi Kervan në fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare, ku deputetët janë mbledhur për të votuar mbi kërkesën e Kosovës në pranim në Këshillin e Evropës.

Kervan u bëri thirrje deputetëve që të votojnë në favor të raportit të përgatitur nga Bakojanis.

“Përpara se të futem në këtë temë, dua të falënderoj nga zemra, Doran, për punën e saj të jashtëzakonshme dhe përkushtimin e patundur. Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju dhe ata që keni kontribuar për ta bërë këtë moment historik si për Kosovën ashtu edhe për Këshillin e Evropës”, u shpreh Kervan.

“Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e të gjitha kritereve për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

“Ne kemi mbështetur me zell parimet e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, me një angazhim të fortë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare”.

“Ne promovojmë tolerancën, dialogun dhe pajtimin, në përputhje me standardet ndërkombëtare si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave”, shtoi ai.

“Për më tepër, Kushtetuta jonë garanton mbrojtjen e të drejtave ekonomike, politike, kulturore, fetare, gjuhësore, arsimore dhe mediatike për të gjitha pakicat kombëtare”.

“Të nderuar kolegë, në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, ju bëj thirrje që të votoni në favor të raportit të përgatitur nga e nderuara znj. Bakojanis”.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është thjesht një gjest simbolik; është një hap i prekshëm drejt sigurimit të qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët tanë”.

“Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut paraqet një fener shprese, duke ofruar një nivel më të lartë të mbrojtjes për të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë, veçanërisht për pakicat dhe këtë e them si përfaqësues i njërit prej pakicave kombëtare në Kosovë”.

“Dua ta mbyll duke i kërkuar secilit prej jush që të marrë parasysh rëndësinë e votës suaj”.

“Duke mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ju jo vetëm që po mbështesni aspiratat tona për integrim evropian, por gjithashtu po rikonfirmoni parimet e drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor”.

Vota juaj do të hapë rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme, ku Kosova qëndron me krenari në familjen evropiane, ku të drejtat e të gjithë individëve respektohen plotësisht.

“Sot Kosova pret miratimin tuaj për përfshirje në këtë komunitet të nderuar. Le të bashkohemi, duke përqafuar diversitetin multietnik të Kosovës, si pjesë integrale e kësaj familjeje të madhe”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco