Evakuimi i tre kosovarëve nga Izraeli, reagon Ministria e Jashtme

Evakuimi i tre kosovarëve nga Izraeli, reagon Ministria e Jashtme

20:01, 15/04/2024

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar se tre shtetas kosovarë janë evakuuar nga Izraeli dhe janë në tranzit për në Kosovë.

Siç njofton MPJD, operacioni i evakuimit, i cili gjithashtu përfshin 12 shtetas të Shqipërisë, u krye nën mbikëqyrjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë në Izrael, të cilat kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët për t’u ofruar asistencë të nevojshme.

Në një deklaratë zyrtare, MPJD thotë se të gjithë shtetasit e evakuuar aktualisht ndodhen në Qipro, në rrugën e tyre drejt shtëpive të tyre në Kosovë dhe Shqipëri.

“Evakuimi u realizua me një bashkëpunim të ngushtë midis Ambasadës së RKS dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Izrael,” theksoi Ministria e Jashtme e Kosovës.

Ministria gjithashtu rikonfirmoi se asnjë nga shtetasit kosovarë nuk ka pësuar ndonjë lloj lëndimi dhe se pavarësisht vështirësive dhe kufizimeve të vendosura, linjat ajrore kanë filluar të stabilizohen.

Sipas ministrisë nuk priten më ndonjë sulme të ngjashme që mund të pengojnë udhëtimet ajrore.

Aktualisht, rreth 15 qytetarë të Kosovës mbeten në Izrael dhe, sipas raportimeve, ata nuk kanë shprehur interesim për t’u larguar nga vendi.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës thotë se vazhdon të monitorojë situatën me kujdes dhe është në koordinim të përhershëm me autoritetet izraelite për çdo zhvillim të ri.

MPJD i nxit shtetasit kosovarë që të lidhen me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael përmes numrave të telefonit dhe WhatsApp në rast te çdo nevoje për ndihmë ose asistencë.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco