Bislimi e Petkoviq takohen sot në Bruksel, vazhdojnë bisedimet për dinarin

Bislimi e Petkoviq takohen sot në Bruksel, vazhdojnë bisedimet për dinarin

08:27, 25/03/2024

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet të takohen sot në Bruksel me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak

Këtë e bëri të ditur më 19 mars emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit mes kryenegociatorëve në kryeqyendrën evropiane.

Lajçak në një postim në platformën “X” njoftoi se në mesin e temave të diskutuara në takim ishte edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesa me para të gatshme.

Në takimin e fundit që kryenegociatorët e të dy vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit, palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Megjithatë, akoma nuk dihet nëse palët kanë respektuar afatet kohore. Nga ekzekutivi kosovar nuk është bërë e ditur nëse kanë dërguar propozime për dinarin, duke u kapur pas planit 10-pikësh të BQK-së që mundëson një fazë lehtësuese kalimtare – do të zgjasë jo më shumë se tre muaj, në mënyrë që qytetarët e komunitetit serb të mos dëmtohen nga zbatimi i vendimit.

Përderisa shefi i delegacionit kosovar njoftoi se palët duhet t’i dorëzojnë propozimet e veta mbi çështjen e ndalimit të dinarit serb, shefi i delegacionit serb theksoi të ketë këmbëngulur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse, sipas tij, ky mekanizëm do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha “institucioneve serbe” në Kosovë.

Lajçaku fillimisht priti në takim kryenegociatorin dhe zëvendëskryeministrin kosovar, pastaj zhvilloi një takim me delegacionin serb të udhëhequr nga Petkoviçi. E ky cikël i ri i negociatave në nivel të kryenegociatorëve erdhi në mes të paralajmërimeve të zyrtarëve evropianë për rritje të presionit ndaj të dyja palëve për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë.

“Unë prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit për operacionet me para të gatshme. Ne u dakorduam që të vazhdojmë këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, deklaroi Lajçaku pas takimeve që zgjatën disa orë.

Në fakt, ky ishte takimi i dytë që u organizua nga BE-ja për çështjen e dinarit. Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt në kryeqendrën evropiane, por përfundoi pa rezultate konkrete. Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut.

Sidoqoftë, sa u përket propozimeve rreth zgjidhjes së problemit, autoritetet kosovare përveçse hodhën poshtë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), nënvizuan se nuk shkojnë përtej asaj që tashmë është miratuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, garantoi këtë javë se nuk do të pranojë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së.

“Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së. Njëkohësisht, ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme, sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë BQK-ja”.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një paraqitje të fundit televizive, potencoi se nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje sa i përket çështjes së përdorimit të valutës serbe në Kosovë, porse Serbia do të gjejë gjithmonë një mënyrë për të dërguar dinarë për serbët, derisa akuzoi autoritetet kosovare për zbatim nëpërmjet forcës të vendimit të BQK-së.

“Nuk do të jetë e lehtë, para së gjithash për popullin tonë në Kosovë. Por do të ketë ndryshime në doktrinën dhe qasjen tonë. Nuk do të na sjellin më përpara një akti të përfunduar dhe na thonë se kanë rënë dakord të bëhet pagesa këtu, pastaj të paguhet atje, dhe pastaj të konvertohet nga dollarë në euro, dhe nga euro në të tjera”, paralajmëroi presidenti serb në fundjavë.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet, apo do të arrihet një kompromis në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco