Kontratat njëburimore në vlerë prej 209 milionë euro, LDK kërkon themelimin e një komisioni hetimor parlamentar

Kontratat njëburimore në vlerë prej 209 milionë euro, LDK kërkon themelimin e një komisioni hetimor parlamentar

17:10, 20/03/2024

Lidhja Demokratike e Kosovës ditëve të fundit ka ngritur me shqetësim fenomenin e kontratave direkte të Qeverisë së Kosovës.

Vetëm në këtë mandat u zbuluan 781 kontrata njëburimore të nivelit qendror në vlerë prej 209 milionë euro.

Për këtë fenomen shqetësues, LDK-ja kërkoi përballje në Kuvend.

Sipas LDK-së, Qeveria po shfrytëzon mekanizma tjerë propagandues përmes ndërmarrjeve publike që kontrollohen nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kjo u dëshmua dhe me reagimin e fundit të Telekomit të Kosovës. Ky reagim, në tentativë që të demantojë informacionin zyrtar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në vend se të sqaroj të gjitha rrethanat e 21 milion eurove të kontraktuara direkt, zgjodhi të merret me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami”, thuhet në njoftim.

Nënkryetarja Bajrami ka deklaruar në Kuvend se sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në mesin e 781 kontratave me negocim direkt, në Telekomin e Kosovës figurojnë 28 kontrata të tilla në vlerë prej 21,310,000 euro nga marsi i vitit 2021 deri në janar të vitit 2024.

“Vërtetësinë e këtij fakti mund ta konfirmoni lehtësisht në listën e KRPP, të cilën e gjeni në vegëzën më poshtë”.

LDK ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe menaxhmenti i Telekomit obligohen të japin llogari për këto kontrata dhe të sqarojnë nëse janë ndjekur procedurat ligjore të prokurimit publik për secilën.

“Rritja e numrit të kontratave direkte gjatë këtij mandati është shqetësuese për shkak të mundësive të keqpërdorimit të parasë publike”.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të gjitha kontratat direkte të kësaj qeverie.

“Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat institucional ligjor e kushtetues deri në zbardhjen e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim. Njëkohësisht, kërkojmë nga pushteti që të mos i shfrytëzoj ndërmarrjet publike si mjete për propaganda partiake, por të përballet me ne aty ku e ka vendin – në Kuvend”, thuhet në fund.

LDK po ashtu ka publikuar emrat e kompanive përfituese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco