Manastiri i Deçanit regjistron pronësinë e 24 hektarëve tokë

Manastiri i Deçanit regjistron pronësinë e 24 hektarëve tokë

11:46, 20/03/2024

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë ka bërë të ditur se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës, në Prishtinë.

“Dioqeza e Rashkës-Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe konfirmon se përfaqësuesi i autorizuar i Manastirit të Deçanit sot në Kadastrën Qendrore të Kosovës në Prishtinë ka pranuar certifikatën e rregullt kadastrale me të gjithë pasurinë e manastirit të Deçanit, përfshirë 24 hektarët që i ishin njohur manastirit me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2016”, thuhet në njoftim.

“Me këtë mund të konstatojmë se procesi afatgjatë ligjor që ishte zhvilluar rreth 24 hektarë të tokës së Manastirit të Deçanit përfundimisht është zgjidhur”, përfundon njoftimi.

Gjatë javës së kaluar kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se i kanë kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës ta zbatojë vendimin e Kushtetueses lidhur me 24 hektarë rreth Manastirit të Deçanit, për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës kishte para vetes dy opsione – të zbatojë vendimin e Kushtetueses e të mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshillin e Evropës këtë vit ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit, andaj  tha se vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”.

Dy ditë më pas, Emisari amerikan, Gabriel Escobar, vendimin për tokat rreth Manastirit të Deçanit e cilësoi si pozitiv, por tha se janë edhe dy kushte që Kosova duhet t’i plotësojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Është shumë pozitive. Është shumë e rëndësishme. Dhe, nuk ka të bëjë vetëm me Manastirin, megjithëse pjesërisht është, por ka të bëjë me përkushtimin ndaj sundimit të ligjit. Tani ju keni një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në shoqëritë e pjekura demokratike, një vendim i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar. Dhe, kështu që duhej të zbatohej. Ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë”, tha në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco