Pozita e opozita flasin pak para takimit në Bruksel për çështjen e dinarit serb

Pozita e opozita flasin pak para takimit në Bruksel për çështjen e dinarit serb

09:08, 19/03/2024

Takimi i radhës i cili do të mbahet sot ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku do të diskutohet edhe çështja e dinarit në nivel kryenegociatorësh është i pavend dhe i papranueshëm.

Kështu tha  deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Pal Lekaj.

Ai tha se si parti e kanë pranuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), por siç u shpreh kjo çështje nuk do të duhej të politizohej.

“Sa i përket dialogut dhe çështjes së dinarit serb që të diskutohet në Bruksel është e pavend e papranueshme dhe nuk e dijë se si Qeveria e Kosovës e ka pru çështjen jo vetëm në Bruksel, por edhe në Këshillin e Sigurimit. Ajo që vlen të theksohet, ne e kemi përkrahë Rregulloren e Bankës Qendrore që është rregullore e brendshme dhe nuk është dashtë që të politizohet. Mirëpo, ja që e kemi një Qeveri që ka dashtë me përvetësu dhe me marrë poenë elektoral dhe na ka pru deri te kjo çështje që nuk guxon të vihet në tavolinë”, ka thënë Lekaj.

I pyetur se çfarë mund të diskutohet të martën në Bruksel dhe se a do të ketë ndryshim qëndrimesh nga ekzekutivi Lekaj tha “ne këtë Qeveri është gjithçka e mundshme. Nuk është vetëm rasti i dinarit që mund të kenë një qëndrim tjetër dhe mund të ketë një ndryshim në qëndrime, sepse e kemi pa edhe me targat, edhe me Manastirin e pronave të  Deçanit dhe mendoj që kjo Qeveri edhe nuk ka vizion dhe ka gabuar në veprime dhe i ka bërë problematike çështjet që ndoshta fare nuk është dashtë… Mendoj që është një qasje e gabuar dhe nuk guxon një kryeministër, një qeveri të sillet kështu”, ka thënë Lekaj.

Ndërsa, Jeta Statovci nga Lista Guxo ka thënë se politikat monetare dhe rregulloret e BQK-së nuk diskutohen në rrafshe të tilla.

“Ne pjesëmarrjen në kuadër të dialogut e kemi pa gjithmonë të një rëndësie, për arsye që i shërben ruajtjes së paqes. Rëndësinë e ka gjithmonë dhe në aspektin e sigurisë, mirëpo edhe në kuadër të normalizimit… Në kuadër të këtyre diskutimeve, drejt finalizimeve të proceseve në kuadër të rrafshit politik, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë dhe kemi qenë konstruktivë në këtë aspekt.

E jona që është qëndrim të cilin e kemi ritheksuar vazhdimisht është që politikat monetare dhe rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës nuk i diskutojmë në rrafshe të tilla”, tha ajo.

Statovci tha se më tej se “diskutimet tona do të jenë parimisht në kuadër të marrëveshjes për të cilën ekziston një dakordancë drejt finalizimit të atij procesi dhe konkretizimit të hapave të mëtutjeshëm me theks, të normalizimit të raporteve”.

Ndryshe, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar të premten se takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Beogradit, do të mbahet më 19 mars në Bruksel.

Ai në një konferencë për media tha se emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka ftuar kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë në Bruksel, për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, si dhe për vazhduar diskutimet për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit.

[Konfirmohet pjesëmarrrja e Bislimit në takimin e Brukselit, Kadiu: Në fokus të agjendës, zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit]
Lexo po ashtuKonfirmohet pjesëmarrrja e Bislimit në takimin e Brukselit, Kadiu: Në fokus të agjendës, zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit

“Do të ketë disa çështje në agjendën e ardhshme, të martën e ardhshme dhe natyrisht, në përgjithësi implementimi i së ashtuquajturës marrëveshje e Ohrit është çështja më e rëndësishme, natyrisht aspektet individuale të kësaj çështjeje do të preket po ashtu nga palët dhe nga fasilituesi (BE)”, ka thënë Stano.

Ndërkohë, nga Qeveria e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim. Këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka thënë se në fokus të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi i marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, si dhe aneksit zbatues.

“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqendrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, shkruan ai.

Gjatë javës së kaluar në Kosovë ka qëndruar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili kërkoi nga pala kosovare fleksibilitet për gjetjen e një zgjidhje për dinarin si dhe për zbatimin e ujdive të Brukselit dhe Ohrit. /Telegrafi/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco