Kryediplomati evropian, Josep Borrell është deklaruar pas bisedës që ka zhvilluar me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Ai tha se bashkë me shefin e NATO-s pajtohen që Prishtina zyrtare duhet të de-përshkallëzojë dhe mos të marrë hapa të njëanshëm që sipas tij, janë destabilizues.
Ai tha se e vlerëson koordinimin e mirë të vazhdueshëm ndërmjet EULEX-it dhe KFOR-it “në sigurimin e një mjedisi të sigurt”.
Të premten, grupe të serbëve lokalë kundërshtuan shkuarjen në zyra të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Kryetarët e rinj u asistuan nga Policia e Kosovës për të shkuar në zyrat e tyre. Megjithatë, tensione u rritën dhe serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe gaz lotsjellës.
Për këto zhvillime, ShBA-ja dhe BE-ja e kanë qortuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se kjo është “hyrje me forcë” në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj në veri.
Por, Qeveria Kurti e ka mbrojtur këtë vendim duke deklaruar se çdo opsion tjetër do të ishte “mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.
© SYRI.net