Një muaj pasi disa të mitur tentuar që t’ua vënë flakën objektit të vjetër të shkollës së mesme të ulët ‘Haradin Bajrami’ në fshatin Magure të Lipjanit, një incident i tillë është përsëritur të shtunën pasdite. Edhe këtë herë, të dyshuarit janë disa të mitur, të cilët kanë djegur një pjesë të inventarit të shkollës së vjetër..
Drejtori i shkollës ka dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin, ku ka bërë me dije se zjarri ka përfshirë banka, karrige, e pjesë të tjera, duke shkaktuar kështu përsëri dëme në objektin e shkollës.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa kanë nisur hetimet nëse të dyshuarit janë personat e njëjtë që kanë kryer këtë vepër edhe në muajin prill.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, teksa s’janë dhënë shumë detaje.
“ Është raportuar për zjarrvënie në objekt, i cili është lokalizuar nga zjarrfikësit. Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme materiale ku vlera e dëmit të shkaktuar nuk dihet. Rasti është duke u hetuar.”.
Kujtojmë se për incidentin që ka ndodhur muajin e kaluar janë arrestuar shtatë të mitur, të cilët përveç zjarrvënies, dyshohen edhe se kanë kryer vjedhje në objektin e shkollës.
© SYRI.net