Sekretari i NATO-s për situatën në veri: Prishtina të mos bëjë hapa te njëanshëm e destabilizues

Sekretari i NATO-s për situatën në veri: Prishtina të mos bëjë hapa te njëanshëm e destabilizues

14:06, 28/05/2023

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, për ngjarjet në Kosovë.

Ai tha se Kosova duhet të mos ndërmarrë hapa destabilizuese.

“Kam folur me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth Kosovës. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja tani, si mënyra e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të depërshkallëzojë dhe të mos marrë hapa të njëanshëm dhe destabilizues. Misioni i NATO-s, KFOR, do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të sigurt”, ka shkruar ai në Twitter.

I ashpër me Kryeministrin Kurti dy ditë më parë u tregua Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili ka dënuar aksionin e Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Blinken ka thënë se dënon veprimet e Qeverisë së Kosovës që, sipas tij, shkaktuan tensionet në veri dhe rritën jostabilitetin.

Ndërsa, Kryeministri Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri, por është shprehur se çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve.

Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë.

Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, ka thënë Kurti.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco