Dialektet e shqipes që po i ‘bëjnë’ shqiptarët ‘françuza’ mes vete

Dialektet e shqipes që po i ‘bëjnë’ shqiptarët ‘françuza’ mes vete

14:28, 24/05/2023

Gazetar: Erdonit HOXHA

Mjaftoi një episod i një seriali kosovar, që u shfaq me titra shqip në një televizion nacional në Shqipëri, që të zgjojë një reagim publik, edhe kësaj radhe, të ndarë në dy tabore.

Pra, Top Channel, serialin ‘Rrushe’, e transmetoi me përkthim shqip, ani pse gjuha e këtij seriali ishte pikërisht gjuha kombëtare shqipe.

Titrimi, nga disa kosovarë, u mor si ofendim, me arsyetimin se derisa flasim shqip, nuk duhej të titrohej, sepse, me titra, nënkuptohet që kosovarët s'e flasin mirë gjuhën shqipe dhe janë të pakuptueshëm në atë që thonë.

Kurse, pjesa tjetër, pro-titrimit shqip-shqip, thanë se kjo gjë duhej të ndodhte, duke menduar që jo gjitha dialektet në trojet shqiptare kuptohen nga të gjithë shqiptarët dhe tjetra, ata që mbase nuk dëgjojnë, do e kenë më të lehtë ta kuptojnë serialin, kur lexojnë titrat.

Sido që të jetë, shpeshherë është thënë se dialektet e ndryshme me fjalë të veçanta, në theks me të shpejtë ose me të ngadalësuar, kanë qenë problem çdoherë mes shqiptarëve, që të kuptohen mes vete.

Mirëpo, për profesorin universitar, njëherit edhe njohës i gjuhës shqipe, Rrahman Paçarizi, dallimet dialektore brenda shqipes nuk kanë qenë problem në të kuptuarin mes shqiptarëve, thjesht ka probleme në fusha specifike.

Në një bisedë për Syri.net Kosova, profesori ndër tjera theksoi se shqipja standarde ka nevojë për ndryshime.

“Unë nuk besoj që dallimet dialektore brenda shqipes paraqesin ndonjë problem serioz për folësit, pasi dialektet dhe te folmet e shqipes janë përgjithësisht të ndërkuptueshme. Sigurisht që probleme ka në fusha specifike, si për shembull në leksikun e automekanikes, pasi Kosova ka huazuar nga gjermanishtja (ndonjëherë edhe përmes serbishtes), ndërsa, Shqipëria ka huazuar nga italishtja, por me thënë se një gegë dhe një toskë nuk kuptohen, kjo s'ka kuptim. Edhe me e pakuptimtë është me pretendu që e folmja e Kosovës nuk kuptohet në Shqipëri, ndërsa e folmja e Shkodrës u kuptuaka.

Se a ka nevojë për ndryshime të standardit aktual të shqipes, kjo është thënë disa herë - natyrisht që po, por mbështetur në hulumtime, studime e interpretime shkencore” përfundoi Paçarizi

Kurse, për gazetarin Nderim Nezirin, titrimi i kësaj serie, është ofendues dhe banal.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, ai tha se nëse përkthehet ky serial, atëherë, TCh është dashur ta përkthejë për 5 muaj edhe çdo fjalë të Luiz Ejllit që ishte në BBVA II, i cili vjen nga veriu i Shqipërisë, nga Shkodra, qytet ky që nuk dallon fort me qytetet në Kosovë, sa i përket theksit dhe të folurit.

“Ndarja e shqiptarëve në gegë dhe toskë është shumë të vjetër, sikurse edhe ndarja e shqipes në dy dialektet madhore. Megjithatë, vetë emrat gegë dhe toskë janë relativisht të rinj dhe me etimologji të paqartë. Ne, në Kosovë në jetën e përditshme, flasim kryesisht në dialektin gegë, edhe pse në publik, media dhe TV, përdoret në të shumtën e rasteve gjuha standare-e unisuar. Përkthimi i seriali “Rrushe”, më duket ofendues, madje pak banal. Nëse është kështu, atëherë i bije që media në fjalë duhet ta përkthejë edhe çdo fjalë të Luizit, që është verior” ka thënë Neziri.

Kujtojmë që, për titrimin e serialit ‘Rrushe’, ka pasur reagime, duke filluar nga kasti i aktorëve, deri te aktivistë, gazetarë e politikanë.

Për regjisorin Shkumbin Istrefi, ky serial në thelb nuk e ka pasur afirmimin e gjuhës, madje, titrimin e pa me sy pozitiv.

“Seriali "Rrushe" ka filluar te shfaqet ne Top Channel. Ne transmetim shfaqen edhe titrat ne gjuhen shqipe (afersisht standardi). Po lexoj reagime te ndryshme lidhur me kete ceshtje. Une mendoj qe eshte mire qe seriali shfaqet me titra shqip per dy arsye kryesore. 1. Qe ngjarjen ta kuptojne edhe personat qe nuk mund te degjojne. 2. Qe ngjarja te kuptohet nga secili shqiptar kudo qe jeton. Gjuha e folur ne serial eshte gjuhe e folur e karaktereve, ne menyre qe loja te jete me e natyrshme dhe me "besueshme" per shikuesin. Seriali "Rrushe" nuk e ka obligim e as qellim afirmimin e gjuhes standarde, por eshte serial drame/krim/aksion” shkroi në Facebook Istrefi.

Ndërsa, gazetari kosovar, Leonard Kërquki, sa i përket serialit, tha se edhe televizioni ku ai punon e titroi, por, më ndryshe, se sa Top Channel.

“Seriali “Rrushe” ka qene i titruar edhe ne sezonin e pare, kur eshte transmetuar ne Televizionin T7. Me nje dallim, tek ne kane qene titrat ashtu qysh kane folur aktoret, ose shume me pak te pershtatura, kurse - sa pash ne Top Channel - e kane pershtatur shume ma teper.  Atehere, kritikat ndaj serialit dhe televizionit kane qene se po e shkrujne keq gjuhen, kurse mbreme kritikat ishin se po e shkrujne mire! Nejse, nuk mendoj se titrimi i “Rrushes” eshte problem. Problemi ma i madh i joni me televizionet e Shqipnise sa i perket titrimeve, ka qene vite ma pare kur intervisten e babes se Behgjet Pacollit e paten titru, kurse jo edhe ate te Behgjet Pacollit ne te njejtin dokumentar” shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

Sidoqoftë, “Rrushe” cilësohet si një nga krijimet më të kompletuara dhe më profesionale, në gjithë historinë e kinematografisë kosovare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco