As gjobat e as matësit e zhurmës s'po bëjnë punë, prishtinasit në hall prej 'muzikës high'

As gjobat e as matësit e zhurmës s'po bëjnë punë, prishtinasit në hall prej 'muzikës high'

14:00, 11/05/2023 Nga J.SH

Gjatë mbrëmjeve, kur kalon në pjesët e kryeqytetit ku ka kafeteri, krejt çka dëgjohet, është muzika me zë të lartë, të cilën DJ-të e lëshojnë për klientët e lokalëve.

Ndonëse ata që janë brenda argëtohen nga këto këngë,  ata që janë jashtë, por edhe në banesat e atyre që zakonisht ndodhen mbi kafeteri, zhurma e këngëve, është thjesht torturuese për ta. Qetësia dhe gjumi janë thuajse të pamundura sidomos në fundjavë, e që për këtë shkak qytetarët edhe kanë bërë ankesa në institucione komunale e në polici, shkruan Syri.net Kosova

Për të parandaluar dhe shmangur bezdisjen e qytetarëve pas ankesave të shumta nga ana e tyre, Komuna e Prishtinës në dhjetor të vitit 2022 pas tri diskutimeve publike me qytetarë, përfaqësues të lokaleve dhe policisë kanë hartuar një rregullore për përcaktim të orarit të punës dhe matjes së nivelit të zhurmës në lokalet e gastronomisë.

Mirëpo, ky vendim nuk është aplikuar në të gjitha lokalet në Prishtinë , ku me këtë rast, Florian Dushi, drejtor i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, në një konferencë për media tha se janë tejkaluar afatet, të cilat kanë qenë mjaft fleksibile. 

‘’ Kemi treguar mirëkuptim për fazën e cila duket të jetë më e zgjatur në kuptimin edhe të aplikimit por edhe të përfundimit të procedurave të parapara në rregullore pranë organeve kompetente komunale. Prandaj jemi sot këtu që të bëjmë thirrje edhe një herë që subjektet e gastronomisë të aplikojnë dhe të pajisen me këto pajisje që përmban matjen e zhurmë, përndryshe sigurisht që na tashmë kemi një bazë të mjaftueshme juridike për të filluar me shqyrtimin e gjobave por thjesht ky nuk është qëllimi i organeve komunale’’, shtoi ai.

Qytetarët, të shqetësuar...

Rina, banore në lagjen Dragodan, shpreh shqetësimin e përditshëm nga muzika e lartë që shkaktojnë lokalet që ndodhen poshtë banesës së saj,e ndonjëherë duke e bërë thuajse të padurueshme jetesën në këtë zonë të kryeqytetit. 

‘’Unë jetoj në lagjen Dragodan, dhe poshtë banesës sime është një lokal, i cili gjatë gjithë kohës së dimrit ka organizuar muzikë live me shumë zë të lartë, dëgjohen brohoritje të mysafirëve gjë e cila kjo na ka shqetësuar ne banorëve të banesës. Më e keqja që muzika ka vazhduar deri në orët e vona të natës e që shumë shpesh kemi mbetur edhe pa gjumë’’, tha Rina nga Lagjia Dragodan.

Edhe lokalet me ankesa...

Në anën tjetër, Florim Sermaxhaj, nga kafeteria ‘Poema’ në kryeqytet, tha për Syri.net Kosova se deri më tani nuk janë pajisur me këto aparate për ndalimin e depërtimit të zhurmës jashtë lokalit, por që pritet të pajiset shumë shpejt. Madje, ai shtoi se deri tani kanë pasur mjaft gjoba, për shkak të zhurmës që u krijua nga muzika, ani pse ajo nuk është dëgjuar jashtë, siç ndodh me lokalet tjera.

“Deri më sot jo, nuk jemi pajisur, mirëpo, kërkesën e kemi bërë, Komuna e Prishtinës na ka thirrë dhe së shpejti do pajisemi me këto aparate. Deri sot, po, kemi pasur gjoba, nga 200 euro e sipër, për shkak se duke qenë se lokali gjendet në objekt banesorë, kemi pasur ankesa nga fqinjët, që e kanë thirrur policinë. Në fakt, zhurma nuk është se është dëgjuar shumë, siç ndodh me lokalet tjera, mirëpo, për shkak të ambientit, ka pasur ankesa. Mirëpo, tash me këto pajisje, urojmë dhe shpresojmë që s’do kemi probleme më” ka përfunduar ai.

Theksojmë se, Komuna e Prishtinës tashmë ka blerë 1,000 pajisje për matje të decibelëve, për të cilat do aplikojnë lokalet e gastronomisë dhe taksohen me 180 euro për furnizmin me këtë mjet.

Ky softuer do të përmbajë të dhëna si: nivelin e tejkaluar të zhurmës, datën dhe kohën kur ka ndodhur tejkalimi, vendin dhe të dhënat e subjektit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco