Ish-kryeshefi i Telekomit me aktakuzë ligjëron si profesor në Lituani

Ish-kryeshefi i Telekomit me aktakuzë ligjëron si profesor në Lituani

12:33, 11/05/2023

Ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ndonëse nuk është deklaruar ende për aktakuzën e ngritur ndaj tij, ka vazhduar punët e zakonshme.

Së fundmi, ai është parë duke dhënë një ligjëratë si profesor i AAB-së në Universitetin Shtetëror të Shkencave të Aplikuara në Lituani.

“Profesorët e Kolegjit AAB Agron Mustafa dhe Hysen Kasumi, ishin të ftuar si ligjërues në kuadër të programit Erasmus+ për shkëmbimin e stafit akademik në Universitetin Shtetëror të Shkencave të Aplikuara Šiauliai në Lituani. Ata ligjëruan për studentët e programeve “Komunikimi organizativ” dhe “Menaxhimi i informacionit”, ndërsa temat e ligjëratave kishin të bënin me mësimdhënien moderne ku në qendër është nxënësi”, thuhet në njoftimin e AAB-së në Facebook. 

“Gjithashtu rëndësi e veçantë iu dedikua edhe rëndësisë së lidershipit në formimin e liderëve dhe menaxherëve në të ardhmen”.

Nga ana tjetër, Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk është vënë në lëvizje për aktakuzën e Prokurorisë ndaj Mustafës. Aktakuza ndaj Mustafës ishte dorëzuar më 4 maj. Ai dyshohet për lidhje të një kontrate të dëmshme, që ka vlerë mbi gjashtë milionë euro.

Lajmin e ka konfirmuar për Paparacin zëdhënësja e Gjyaktës së Prishtinës, Mirlinda Gashi. Sipas saj, lënda do të trajtohet në bazë të radhës së pranimit dhe regjistrimit në gjykatë.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për çështje penale me datë 04.05.202 ka pranuar Aktakuzën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit A.M. për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Lidhja e kontratës së dëmshme nga neni 291 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me neni 81 paragrafi 1.2. dhe 1.5.të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha ajo për Paparacin.

“Lidhur me këtë rast, gjykata ende nuk ka ndërmarr ndonjë veprim, ndërsa lënda do të trajtohet në bazë të radhës së pranimit dhe regjistrimit në gjykatë”, shtoi ajo.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte njoftuar se më 3 maj ka ngritur aktakuzë ndaj Agron Mustafës.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme” në rastin “Paykos”, transmeton Paparaci. Kësisoj, Mustafa dyshohet se i ka shkaktuar dëm Telekomit të Kosovës, mbi gjashtë milionë euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, “ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 €”.

“Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të lartcekur, andaj Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Kontrata e lidhur nga Telekomi që kishte të bëjë me shitjen e produkteve të Valës me kompaninë “Paykos” po trajtohet dhe në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Lënda është dërguar në Arbitrash nga ana e kompanisë “Paykos” në vitin 2021, pasi, Telekomi i Kosovës kishte shkëputur njëanshëm kontratën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco