Arsyet që e kanë bërë Kosovën 'terren jo të përshtatshëm' për operim të bizneseve

Arsyet që e kanë bërë Kosovën 'terren jo të përshtatshëm' për operim të bizneseve

12:40, 11/05/2023 Nga A.S

Ekonomisë vendore i është ‘dridhur’ jo pak themeli në kohën kur e preken sfidat e njëpasnjëshme. Aktualisht problem serioz i kësaj fushe po shihet mungesa e investimeve kapitale, por një sërë ngecjesh tjera janë shpërfaqur nga palët që Syri.net Kosova ka kontaktuar.

Kështu, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK), ka renditur një varg arsyesh që e kanë bërë Kosovën terren jo të përshtatshëm për operim të bizneseve, mes të cilave ka theksuar mungesën e shtuar të fuqisë punëtore.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me shqetësim po përcjellë situatën e bizneseve në terren, e cila fatkeqësisht nuk është në nivelin e dëshirueshëm, për shumë arsye në mesin e të cilave kriza që po vazhdon të ndjehet nga pandemia Covid – 19, okupimi i Ukrainës nga Rusia, mos-investimeve kapitale nga qeveria, e së fundmi edhe ballafaqimi me mungesën e shtuar të fuqisë punëtore dhe kuadrove profesionale” thonë nga DHTIK për Syri net Kosova.

Nga kjo odë kanë pasur kritikë të theksuar ndaj vlerave të projektuara për buxhetin e vitit 2023.

Për ta, Qeveria Kurti reflekton mungesë synimesh për përmirësimin e investimeve kapitale, duke cekur po ashtu mos pasjen e një Ligji për Investimet Strategjike çka sipas tyre do të tërhiqte edhe investitorë serioz.

“Ndërsa sa i përket qeverisjes ekonomike aktuale kemi përcjellur me shumë shqetësim vlerat e projektuara për buxhetin e vitit 2023, duke pasur parasysh se ndarja më e madhe buxhetore shkon në subvencione dhe administratë, ndërsa niveli i investimeve kapitale nuk tregon për ndonjë synim të Qeverisë në përmirësimin e klimës së biznesit. Tani Kosova do të duhej të shihet si partner strategjik i SHBA dhe BE- së, por me këtë lloj buxhetimi më shumë dukemi si përfitues të ndihmave humanitare”

“Ndërsa kur jemi tek investimet strategjike as kjo Qeveri nuk erdhi me një Ligj adekuat për Investimet Strategjike pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme si Dhomë e Tregtisë të cilat janë përcjellur tek organet relevante. Ligji për Investime Strategjike, do të kufizonte ofertat jo-serioze, jo transparencën e komisioneve, apo deri në tërheqjen e investitorëve strategjik në mungesë të seriozitetit nga ana e institucioneve”, kanë përfunduar nga DHTIK.

Arben Mustafa, ekonomist nga PDK në një prononcim për Syrin ka thënë se çasja e Qeverisë Kurti në ekonomi përkufizohet thjeshtë si dështim total.

Për Mustafën qytetari kosovar po varfërohet edhe më tej me ardhjen e kësaj qeverie.

“Qeverisja e ekonomisë nga Qeveria Kurti nuk mund të përkufizohet ndryshe veç se si dështim total në të gjitha aspektet. Sot qytetari i Kosovës është më i varfër se sa para se të vinte kjo Qeveri në pushtet për shkak te rritjes së kostos së jetesës dhe dobësimit të përformancës se ekonomisë, përderisa Qeveria bën sehir me nga 50 e 100 euro duke pretenduar se po i zgjidh të gjitha problemet e ekonomisë. Ky depresion që e ka kapluar vendin po reflektohet edhe në shifrat e migrimit, të cilat në sytë e Zëvendëskryeministrit Bislimi tani qenkan bërë një zhvillim normal, ndërsa për të njëjtin person migrimi në të kaluarën shpërfaqte humbje të shpresës”, ka thënë ai.

Ndërsa njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka thënë se mes disa arritjeve të evidentuara, kjo qeveri po ngec në realizimin në nivelin e duhur të investimeve kapitale.

“Vlerësimet për qeverinë Kurti, në aspektin ekonomik në disa aspekte ka avancime ndërsa në disa duhet të veprohet më shpejt dhe më fuqishëm. Si sukses kisha theksuar në aspektin ekonomik që nga qeveritë e kaluar nuk e kanë realizuar është miratimi i Ligjit të Pagave për Shërbyesit Civil, si dhe sukses tjetër kisha me theksuar miratimin e Ligjit për artikuj bazik, por fatkeqësisht është në Gjykatën Kushtetuese”.

“Por, si mos sukses kisha me theksu mos realizimin në nivelin e duhur të investimeve kapitale por kjo ka ndodhur edhe nga qeveritë e kaluar por nga kjo aktuale sepse kjo e ka fuqinë politike përkatësisht i ka numrat në kuvend. Por duhet theksua se një sukses duhet të ceket edhe subvencionimi i energjisë elektrike, për ekonomitë familjare dhe bizneset dhe amvisëritë është veprim ekonomik që duhet të vlerësohet dhe ka ndikuar pozitivisht si në jetën ekonomike të familjeve dhe të bizneset, por sugjerimi im është se duhet te ndryshohen politikat fiskale, si dhe politikat kreditore- monetare, si dhe nënsistemet e këtyre politikave si politika e çmimeve, politika ndaj inflacionit, politika e krijimit të vlerës së shtuar të produkteve dhe shërbimeve vendore”, ka thënë ai për Syri net Kosova.

Se ka stagnim në këtë segment të ekonomisë u paraqit edhe nga Insituti GAP.

Sipas një raporti të tyre, Ministria e Financave, e udhëhequr nga Hekuran Murati, ajo e Industrisë udhëhequr nga Rozeta Hajdari dhe ministria e Ekonomisë në krye të së cilës është Artane Rizvanolli, janë tri ministritë me përqindjen më të ultë të realizimit të investimeve kapitale për vitin 2022.

Murati ka realizuar vetëm 2 % investime kapitale, Hajdari 16% dhe Rizvanolli 38%. 

Grafikoni i GAP:

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco