BE “e legjitimon” përpjekjen e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE

BE “e legjitimon” përpjekjen e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE

17:08, 25/04/2023

Ditën e djeshme, Kosova kaloi etapën e parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku nga 46 shtete anëtare, 33 prej tyre votuan pro. Por, në mesin e shtatë votave kundër, ishte edhe Serbia.

Mirëpo, Bashkimi Evropian i është shmangur pyetjes së Gazetës Online Reporteri.net nëse Serbia ka shkelur pikën 4 të Marrëveshjes së Ohrit, ku thuhet se ky shtet nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, teksa kanë treguar vetëm rolin e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, gjithmonë duke ia kaluar kompetencat zëdhënsit të BE-së Peter Stano, ka thënë se votimi është në dorë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

“Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës votoi dje pro dërgimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Asamblenë e saj Parlamentare (APKE). Këtë e vendosin anëtarët e Këshillit të Evropës. Këshilli i Evropës luan një rol qendror në promovimin e vlerave themelore evropiane dhe standardeve të përbashkëta, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave”, thuhet në përgjigjen e BE-së, duke iu referuar deklaratës së Peter Stanos, sot në konferencën e përjavshme për media.

Ndërsa, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë dje se Serbia brenda 24 orëve ka shkelur dy pika të Marrëveshjes së Ohrit, e një nga to ishte pikërisht vota kundër e tyre për Kosovën në KiE.

Osmani tha se me këtë veprim, Serbia shkeli nenin 4 të marrëveshjes, ku thuhet se “palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Ndërsa, sot Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, “kërcënoi” vendet që përkrahëse të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Daçiq tha se se ka ngelur i befasuar nga Mali i Zi, ndërsa theksoi se ata mund të ishin përmbajtur, por që shtoi se edhe ata do të kenë nevojë dikur për votën e tyre.

Të hënën, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës e çoi përpara në Asamblenë Parlamentare, aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Me 2/3 të votave për, Këshilli Ministror mori vendim që aplikimi i Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës të shkojë tutje, etapë kjo që u konsiderua historike për vendin.

Nga 46 shtete anëtare, 33 prej tyre i thanë “po” Kosovës në KiE.

Fati i Kosovës tash është në duart e Asamblesë së Përgjithshme, e cila cakton kushtet përmes të cilave shtetet mund të anëtarësohen në Këshillin e Evropës, nëpërmjet të drejtës së vetos.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco