Musliu-Shoshi: Disa familje duan të strehojnë të prekur nga tërmeti në Turqi, të largohen barrierat e udhëtimit

Musliu-Shoshi: Disa familje duan të strehojnë të prekur nga tërmeti në Turqi, të largohen barrierat e udhëtimit

11:37, 09/02/2023

Deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi ka propozuar që të ndryshohen ligjet në mënyrë që të mundësohet strehimi i qytetarëve turq të prekur nga tërmeti i fundit.

Në një deklarim në Kuvendin e Kosovës, Musliu-Shoshi ka thënë se ka kërkesa nga qytetarët e Kosovës për t’iu ofruar strehim familjeve turke të prekura nga tërmeti.

“Bazuar në kërkesën e disa familjeve në Kosovë, të cilët duan të solidarizohen me qytetarët e prekur nga tërmeti në Turqi e të ofrojnë strehim të përkohshëm për familjet e prekura nga tërmeti, për momentin është e pamundur”.

Deputetja opozitare ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të largojë barrierat e udhëtimit për këta qytetarë.

“Zoti kryeministër kërkojë nga ju, dhe vlerësojë se do të ishte një ndihmë e madhe nëse merrni një vendim me të cilin largohen të gjitha barrierat për udhëtim për një periudhë të caktuar kohore”, deklaroi tutje Musliu-Shoshi.

Mbi 16 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit në Turqi dhe Siri.

Në Turqi, mbi 60.000 njerëz janë plagosur dhe më shumë se 12.873 kanë humbur jetën, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive.

Në Siri janë raportuar më shumë se 3.162 viktima.

Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco