'E papranueshme mungesa e transparencës për dialogun, janë arritur disa marrëveshje askush nuk ka parë dokument të nënshkruar'

'E papranueshme mungesa e transparencës për dialogun, janë arritur disa marrëveshje askush nuk ka parë dokument të nënshkruar'

20:05, 08/02/2023

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është e papranueshme mungesa e transparencës së qeverisë në lidhje me dialogun, sipas tij, ajo është e obliguar të raportojë në kuvend për çdo zhvillim.

“Është e papranueshme mungesa e transparencës lidhur me dialogun. Qeveria, si bartëse e procesit, e ka obligim kushtetues të raportojë në Kuvend për zhvillimet e deritashme”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas Hotit, janë arritur disa marrëveshje teknike, si për energjinë, për targat e për dokumentet e udhëtimit, por askush nuk ka parë dokument të nënshkruar.

“Është pranuar nga Qeveria propozimi franko-gjerman dhe janë dërguar komente. Por nuk është informuar Kuvendi dhe publiku se: (1) cila është përmbajtja e plotë e atij propozimi, (2) çfarë komentesh ka dërguar Qeveria, (3) cili ka qenë reagimi i ndërmjetësve lidhur me komentet e dërguara dhe (4) sa janë reflektuar ato në draftin që është pranuar së fundmi nga Qeveria”, ka shtuar Hoti.

Hoti tha se përveç Kuvendit, është e domosdoshme të informohet edhe publiku përmes një fushate informuese dhe tryezave të diskutimit me shoqërinë civile dhe komunitetin akademik.

“Transparenca ndihmon në ndërtimin e konsensusit shoqëror dhe politik për marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, e cila duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e të gjithë deputetëve”, ka përfunduar Hoti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco