Dita e fundit e janarit, koeficienti i pagave mbahet i fshehtë

Dita e fundit e janarit, koeficienti i pagave mbahet i fshehtë

09:52, 31/01/2023

“Në janar do të vendoset vlera e koeficientit. Nuk mund ta përcaktojmë koeficientin me Ligjin e Pagave, por me buxhet. Po kërkoj pak durim prej juve, saktësisht në janar të vitit 2023”, ishin fjalët e kryeministrit Albin Kurti më 24 dhjetor. Por, në ditën e fundit të janarit, koeficienti i Ligjit të Pagave vazhdon të mbahet i fshehtë.

Ligji për Paga hyn në fuqi më 5 shkurt. Me të rregullohet çështja e pagave për punonjësit e sektorit publik. Koeficientet tashmë janë publikuar, por se vlera ka mbetur e fshehtë. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ditë më parë u shpreh se janë duke u bërë përllogaritjet dhe kur të bëhet përmbledhja e të gjithave, atëherë do të përpjesëtohet shuma e ndarë për paga në buxhet.

Edhe shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, më 23 janar pati thënë se qeveria për pak ditë do ta përcjellë vlerën e koeficientit në Kuvend. Megjithatë, në njoftimin e Kryesisë së Kuvendit për seancat plenare që pritet të mbahen të mërkurën dhe të enjten, nuk është në rend dite edhe pika e projektligjit të buxhetit.

Javën e shkuar, qeveria vendosi t’i ndajë nga 50 euro shtesë në pagë për janar për të gjithë punëtorët e sektorit publik, deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

Ligji i Pagave në sektorin publik ishte miratuar në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës më 22 dhjetor të vitit të kaluar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco