Fushata që po i kthen me kamion në depo produktetet serbe

Fushata që po i kthen me kamion në depo produktetet serbe

14:50, 24/01/2023 Nga A.S

Përderisa Serbia po vazhdon fushatën e egër kundër Kosovës si në rrafshin diplomatik ashtu edhe në atë politik e shoqëror, edhe shteti kosovar ‘boomerang’ po tenton me një fushatë paqësore t’i bojkotojë produktet që vijnë nga shteti serb, shkruan Syri net Kosova.

Vetë iniciuesi i fushatës “Mos bli prodhime serbe”, Burim Piraj ka treguar për Syri net Kosova se tashmë kjo nismë ka nisur të japë rezultatet e para.

Sipas Pirajt, këtë më së miri e dëshmon fakti që për një muaj ka rënie të importit nga Serbia në Kosovë për 27.4 për qind.

  • Prodhimet serbe vendin në depo

“Pas diku pesëmbëdhjetë muaj fushata ka filluar të jep efektet e veta të dukshme, edhe pse që nga fillimi i kësaj fushata ka pas reflektim nga popullata për të mos blerë, por tani edhe ata që kanë qenë të shkujdesur kanë filluar ta marrin mesazhin tonë dhe të mos blejnë prodhime serbe. Kemi qenë dëshmitar të videove të përcjella nga aktivistë të ndryshëm që punojnë në markete të madha se si kamion të mbushur me prodhime serbe pas festës së Vitit të Ri janë kthyer nëpër depo, gjithashtu në bazë të disa të dhënave nga instituti GAP kemi pa se në periudhën Nëntor 2022 – Janar 2023 ka një rënie të importeve nga Serbia për 27,4 % dhe kjo për neve është shumë domethënëse, por nuk do të ndalemi derisa importet të bien shumë poshtë”, ka thënë ai.

Image

ImageImage
 
 
Ndërkaq, ai ka theksuar me bindje se prodhuesit vendor nuk i kanë rritur çmimet për ta shfytëzuar këtë fushatë, por që sipas tij këto aludime po vijnë nga qarqe të ndryshme të interesit. Por Piraj nuk e mohon se nuk ka manipulime të çmimeve nga tregtarët ani pse të vogla.

“Ka tendenca nga qarqe të të interesit që fushatën tonë ta zbehin në sytë e qytetarëve duke e përdorur pikën shumë të dobët të blerësit atë të çmimeve. Ditëve të fundit kanë krahasuar produkte të ndryshme dhe janë munduar të paraqesin se si prodhimet vendore më të shtrenjtë se ato të importit, ose i kanë krahasuar dy produkte të kategorive të ndryshme duke dashur ta mashtrojnë dhe dekurajojnë blerësin. Me ato të dhëna ne që i kemi, përveç vezëve që janë rritur në tregun vendor dhe çipsave, nuk ka pas asnjë rritje tjetër, vezët nuk ndërlidhen me importin nga Serbia, ndërsa çipsat kemi të dhëna se edhe ato të importit do të shtrenjtohen edhe më shumë për shkak të lëvizjes së çmimeve të lëndës së parë në arenën ndërkombëtare. Ka manipulime të vogla ndoshta nga tregtarët, por assesi nga prodhuesit vendor”, ka shtuar ai.

Më tej, Piraj gjendjen jo të mirë ekonomike të Kosovës po e lidh më mostrajtimin adekuat të punëtorëve.

“Kushtet e punës në sektorin privat në Kosovë nuk janë të mira, duhet të bëjmë shumë më shumë, ne për dy dekada kemi blerë prodhime të importit dhe i kemi zhvilluar ekonomitë e huaja ndërsa ekonominë tonë e kemi lënë anash. Trajtimi jo i mirë i punëtorëve është si pasoj e gjendjes ekonomike jo të mirë, rrogat e vogla dhe kushtet e tjera të gjitha lidhen me fuqinë ekonomike që e kemi, një ekonomi më e zhvilluar, një fuqizim i firmave vendore duke i blerë prodhimet e tyre, do të reflektoj në rritjen e pagave dhe në përmirësimin e të gjitha kushteve të punëtorëve por dhe të popullatës në përgjithësi”, ka theksuar ai.

Për kompaninë e tij “MEKA”, Piraj njofton se shitja po rritet dhe plotë risi pritet të ketë këtë vit.

“MEKA – Falënderimet i takojnë përherë të Madhit Zot, është duke ecur me hapa shumë të mirë dhe të sigurt, këtë vit kemi pas shtim të shitjeve për 26% por jo dhe shtim të fitimit, për këtë arsye këtë vit nuk kemi arritur ta realizojmë pagën e katërmbëdhjetë me 15 Janar , por shpresojmë se shumë shpejt do të realizojmë këtë dhe punëtoret do ta kenë në llogaritë e tyre. Kemi risi, këtë vit do të plasojmë disa produkte të reja, gjatë muajit Shkurt do të plasojmë Gullashin e viçit MEKA, do të plasojmë Rriskë 100% me mish viçi dhe do të plasojmë suxhuk Katundi i cili do të jetë 100% e mish të viçit, normal që çmimet e këtyre produkteve do të jenë të shtrenjta sepse dihet çmimi i mishit viçit, por ne mendojmë se ia vlen të blihen. Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar që përherë të sjellim më të mirën e mundshme në treg, nuk turpërohemi para asnjë konkurrence në botë për cilësinë e produkte, sigurinë dhe korrektësinë”

  • Kërkohet fushatë edhe ma e fuqishme 

Në anën tjetër, edhe Jakup Bellaqa njohës i çështjeve ekonomike për Syrin po vlerëson se vetëdijesimi i qytetareve për moskonsumim të produkteve serbe ka filluar të shihet, ani pse ai pret fushatë më të fuqishme.

“Pas fushatës vetëdijësuese kundër prodhimeve serbe, ka një rënie të lehte por jo e mjaftueshme, andaj duhet të zhvillohet një fushatë shume më e fuqishme karshi produkteve serbe sepse ende po dominojnë në tregun e Kosovës. Sepse me qindra miliona importohen produkte bazike nga Serbia, por bota e biznesit kosovar me vetë faktin që i ka rritur çmimet shumë të larta mbi pikën ekuilibruese të formimit të çmimit ku do të duhej të formoheshin sipas ofertës dhe kërkesës dhe oferta e produkteve do të duhej të ishte vendore dhe jo ofertë nga vendet e rajonit në ketë rast nga Serbia që ka ndikuar dhe po ndikon negativisht në rrjedhat dhe proceset ekonomike dhe në shportën e konsumatorit të qytetareve të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Për Bellaqen në drejtim të ekuilibrimit të çmimeve të produkteve në tregun kosovarë, më e rrugës do të ishte aplikimi i politikës ekonomike – dumping.

“Andaj shteti i Kosovës duhet të krijoj politika mbrojtëse tregtare dhe të veproj sipas ligjve të ekonomisë së tregut të lirë dhe të marr masa mbrojtëse që të stimulohet prodhimi i brendshëm dhe të zhvillon politika publike produktive të çmimeve që shteti ta vë në kontroll ekonominë dhe çmimet në mënyrë që mos të ketë çmime diskriminues dhe të ketë çmime të tregut të ekuilibruar dhe ta rrit ofertën vendore të produkteve dhe të mirave jetësore dhe mos të ketë produkte nga Serbia që hyn në Kosovë, më të ultë se çmimet e tregut dhe jo konkurruese ku në ekonomi quhet çmime dumping dhe qeveria jonë duhet të aplikoj politike të çmimeve anti dumping që lejohen në ekonominë e tregut dhe në praktikat ndërkombëtare dhe vendore”, ka shtuar ai.

Theksojmë se Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i mallrave nga shtetet e huaja. Vetëm gjatë vitit 2022 në vendin kanë hyrë mbi 5 miliardë euro mallra, ku 371 milionë euro mallra vetëm nga Serbia. Importet nga Serbia në vitin që lamë pas janë rritur me gati 21.7 për qind apo mbi 66 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco