Sveçla: U shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Kosovës

Sveçla: U shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Kosovës

20:04, 18/12/2022

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas protestës së mbajtur sot në Jarinje nga ana e disa serbëve, shkruan Syri.net Kosova.

Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se sot u shfaqe një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-rusë ndaj Kosovës.

Tutje Sveçla ka thënë se grupet e armatosura të maskuar dhe të barrikaduara, kanë mbështetjen e qendrës së spiunazhit rus që gjendet në Nish të Serbisë dhe të njëjtit po përpiqen që ta cenojnë sovranitetin tonë.

Postimi i plotë:

Sot, në anën serbe të pikëkalimit kufitar në Jarinjë, u shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Republikës së Kosovës.

Të njëjtët aktorë joshtetërorë, por të cilët i përdor edhe regjimi në Beograd edhe ai në Moskë, të përfaqësuar nga Damnjan Knezheviq (bashkëpunëtor i organizatës paramilitare famëkeqe ruse Wagner), u mësynë që ta thejnë këtë pikëkalim kufitar.

Ditët e fundit, aktorë të tjerë shtetërore e joshtetërorë të këtyre dy vendeve, që janë të vetmet, që nga Lufta e Dyte Boterore, që ndëzën luftëra në Evropë, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës dhe ende gjenden këtu.
Të armatosurit e maskuar dhe të barrikaduar në rrugë, me mbështetjen edhe të qendrës së spiunazhit rus që gjendet në Nish të Serbisë, po përpiqen që ta cenojnë sovranitetin tonë, duke nxitur provokime agresive në mënyrë që ta largojnë vëmendjen nga agresioni në Ukrainë, ku siç po shihet Putini po e humb luftën.

Ne do të vazhdojmë ta ekspozojmë qëllimin ruso-serb, duke ngulur këmbë që mos t’i nënshtrohemi në asnjë mënyrë mashtrimit të madh që po përpiqen t’ia bëjnë Serbia dhe Rusia një pjesë të qytetërimit evropian!
Por, gjithashtu dua të siguroj të gjithë qytetarët tanë se Policia e Kosovës është e aftë dhe ka gjitha kapacitetet e nevojshme te përballet me këto struktura kriminale dhe se ne po bëjmë gjithë vlersimet e nevojshme për mënyrën më efikase dhe kohën e përshtatshme për këtë. Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, të sigurojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe të luftojmë grupet kriminale pa dallim, në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës sonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco