Java vendimtare për fatin e refugjatëve shqiptarë në Angli, pritet vendimi i Sunak

Java vendimtare për fatin e refugjatëve shqiptarë në Angli, pritet vendimi i Sunak

08:30, 12/12/2022

Pas mbledhjes së Komisionit të Posaçëm parlamentar në Britaninë e Madhe për të kërkuar llogari se pse “kaq shumë shtetas shqiptarë kanë udhëtuar me gomone drejt Mbretërisë”, do të vijë edhe një vendim përfundimtar sa i takon situatës.

Mediat britanike kanë njoftuar se këtë javë kryeministri britanik, Rishi Sunak po planifikon të “marrë në dorë kontrollin” e krizës së emigrantëve të Kanalit.

Sipas tyre ai do të prezantojë një plan për goditjen ndaj trafikantëve shqiptarë, për të cilët mediat shkruajnë se janë të lidhura me shumicën e rasteve.

Këtij vendimi duket si i ka hapur rrugë biseda e zhvilluar mes Sunak dhe kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Disa ditë më parë të dy liderët ranë dakord se duhet bërë më shumë për të trajtuar migracionin ilegal dhe për të luftuar së bashku krimin e organizuar.

Ata kanë diskutuar edhe për planet për forcimin e bashkëpunimit në adresimin e sfidave të përbashkëta, duke përfshirë mbylljen e zbrazëtirave që po pengojnë kthimin e shpejtë të shtetasve që nuk e kanë fituar azilin.

Po ashtu bëhet me dije se Sunak po i “shihte të gjitha opsionet” për të përshpejtuar kthimin e shqiptarëve që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë përdorimin e policisë shqiptare për të kontrolluar të dhënat kriminale.

Në rishikim do të mbetet edhe kërkesa e ministrit të emigracionit për ta konsideruar Shqipërinë një vend të sigurtë dhe për të ndaluar kërkesat për azil.

Sipas mediave lokale atje, kryeministri britanik është nën presion nga deputetët e konservatorëve, të cilët i kanë kërkuar rishikim e çështjes.

Për disa nga ata, partia ende nuk është një forcë që kërkon të mirën e vendit.

Por presioni nuk ndalet. Një palë tjetër kërkon një qasje tjetër.

Siç raporton e përditshmja “The Guardian”, stafi i Zyrës së Brendshme (Home Office) po rebelohet kundër përpjekjeve të Qeverisë për të luftuar gomonet që kalojnë Kanalin.

Ata madje kanë kërkuar që marrëveshja e fundit me francezët të anulohet sepse është “e dënuar të dështojë”.

Dy ditë pasi Franca njoftoi se po rriste numrin e anijeve të shpëtimit në Kanal, sindikata e Shërbimeve Publike dhe Tregtare i ka shkruar sekretares së brendshme, Suella Braverman.

Ajo është shprehur se e vetmja zgjidhje për krizën është krijimi i një vize kalimi të sigurt, që u lejon refugjatëve një rrugë të sigurt për në MB.

Stafi i kërkon Qeverisë të miratojë një qasje të re dhe që refugjatëve t’u jepet një vizë e sigurt kalimi, në mënyrë që ata të shmangin kalimin e rrezikshëm në mëshirën e kriminelëve të organizuar.

Po ashtu aty theksohet qasja për reduktimin e numrit të kalimeve me varka të vogla po ndërton një ndjenjë mjerimi midis stafit të Home Office, me politika të tilla si mjedisi armiqësor që i bënte punët e tyre “thellësisht të pakëndshme në mënyra të ndryshme”.

Më shumë se 40 mijë njerëz kanë kaluar deri më tani nga Franca me gomone këtë vit.

Ndërkohë, zyrtarët e Home Office kanë arritur në përfundimin se planet e mbështetura nga Braverman që bëjnë thirrje për një goditje të madhe ndaj azilkërkuesve nuk do t’i mbijetonin një sfide ligjore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco