Optimizmi i 'bashkon' me pushtetin, por opozita s'ia le asnjë meritë Kurtit

Optimizmi i 'bashkon' me pushtetin, por opozita s'ia le asnjë meritë Kurtit

11:56, 13/10/2022

Gazetar: Erdonit HOXHA

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian do të diskutojë sot për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Një proces i tillë që ka nisur qe pothuajse mbi një dekadë, po pritet si lajm i madh dhe gjithë janë 'sy e veshë' të shohin se a do të ndodh apo jo.

Sido që të jetë, nëse jo për çështje tjera, bashkë dhe optimistë për liberalizim janë pozitë dhe opozitë.

Veç se, këta të fundit, nuk po e lënë fare meritore qeverinë Kurti për liberalizim, madje, kanë kritika për të, sa i përket këtij procesi.

Syri.net Kosova, sjell më poshtë opinionet e anëtarëve të partive politike që janë pjesë e opozitës.

E para, foli Time Kadrijaj nga AAK, e cila edhe njëherë tregoi se ka marrë premtime nga eurodeputetët për liberalizim, por, në një bisedë për Syri Kosova, tha se kjo gjë nuk është e sigurt që do të ndodh 100%.

“Meqenëse jam pjesë e Komisionit për Punë të jashtme dhe Diasporë dhe pjesë e Komisionit për Integrime Evropiane, roli jonë është edhe mbikëqyrja e punës së qeverisë, sidomos të dikastereve që kanë të bëjnë me politikën e jashtme. Kohëve të fundit, këto dy komisione, kanë qenë në një vizitë një javore në Bruksel, ku kemi takuar shumë eurodeputetë të vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe eurodeputetë të vendeve që akoma s’e kanë njohur pavarësinë dhe kemi lobuar fuqishëm për procesin e liberalizimit dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizma ndërkombëtarë, sidomos në Këshillin e Evropës por edhe për çështje të tjera, për procesin e dialogut, që Kosova t’i ketë vijat e qarta në këtë proces dhe platforma të jetë e qartë dhe kemi marrë premtime nga të gjitha vendet, nga gjithë eurodeputetët që kemi takuar, të cilët kanë thënë se Kosovës po i bëhet një padrejtësi, pasi, që në vitin 2018 janë përmbushur gjitha kushtet dhe kriteret për procesin e liberalizimit dhe është votuar edhe në Parlamentin Evropian. Tashmë varet nga diskutimi i vendeve veç e veç dhe ne e dimë që ka pasur disa vende skeptike mirëpo, këto vende na kanë premtuar që do lobojnë  dhe dihet që sot është edhe në rend dite kjo çështje, edhe pse nuk është premtuar 100% që do ndodh por na mbetet të presim” tha Kadrijaj.

Sa i përket rolit të qeverisë Kurti për këtë proces dhe mundësisë së penalizmit edhe kësaj radhe, Kadrijaj ripotencoi se s’ka asnjë kusht të pa plotësuar dhe se çështjet e brendshme të Kosovës siç është sundimi i ligjit nuk mund të pengojë një gjë të tillë, pasi, sundimi i ligjit është proces që zgjatë gjithmonë dhe nuk mund të jetë vetëm kusht sa për t’u plotësuar e më pas të mbet deri aty.

Optimiste për liberalizimin e vizave është deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Në një prononcim për Syri Kosova, ajo tha se është bërë punë që shumë vite për këtë çështje dhe shpreson shumë që Kosova do e merr lajmin e madh.

“Është një vendim i shumëpritur për qytetarët e Kosovës, pasi, ju që prej 2018 ne e kemi marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave që është votuar edhe në Parlamentin Europian. Tash e sa kohë janë edhe thirrjet e deputetëve evropianë për liberalizim dhe shumë shtete që nuk kanë pranuar një gjë të tillë tashmë po e pranojnë, prandaj, konsideroj që një punë e gjatë që është bërë ndër vite, ka shumë mundësi që të përmbyllet me një vendim përfundimtar politik dhe qytetarët mund të lëvizin lirshëm” tha ajo.

E pyetur për rolin e qeverisë Kurti në këtë proces, Deliu tha se meritore për këtë proces janë qeveritë e kaluara, por, ka qenë padrejtësi e madhe që nuk ka ndodhur gjatë kohës sa ishin ato në pushtet.

“Ju e dini që me marrjen e udhërrëfyesit, qeveritë ndër vite kanë shënuar progresin e tyre në përmbushjen e obligimeve dhe kërkesave të BE-së, gjitha kriteret janë përmbushur nga qeveritë e kaluara, por, ka qenë padrejtësi e madhe që Kosovës i është mohuar një e drejtë e lëvizjes së lirë, ndaj, them se meritë është e gjithë atyre që kanë përmbushur obligimet e kërkuara” përfundoi Deliu.

Për mundësinë e liberalizimit të vizave, ka folur edhe Lutfi Haziri, nga LDK.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, ai ka treguar meritorët e këtij procesi, duke potencuar edhe faktin se si Kosova e humbi mundësinë e liberalizmit në vitin 2016, shkaku i VV-së.

“Shpresoj që shumë që grupi ndërtektorial të vendosë, apo do të rekomandojë për Këshillin çështjen e liberalizimit të vizave, besoj që ky vendim do jetë pozitiv, pasi, nuk ka asnjë arsye të gjetur, që do nënvizonte që Kosova nuk i ka përmbushur kriteret teknike të udhërrëfyesit, i cili është dhënë në vitin 2012, dokument që është përmbyllur në vitin 2016, pra, Kosova e ka marrë rekomandimin e parë, por, falë opozitarizimit të VV-së dhe disa partive tjera, atë kohë është humbur e drejta e liberalizimit, për shkak të mosmiratimit të ligjit për demarkimin e kufirit Kosovë-Mal të Zi. Pastaj, hera e dytë që rekomandohet pozitivisht dhe një afat që për BE-në është i rinjohur dhe i rregullt, pritet një rekomandim eventual. Nga viti 2012, procesin e ka udhëhequr Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane në atë kohë, e cila ka marrë udhërrëfyesin e saj", theksoi Haziri.

"Unë kam qenë bashkëkryesuesi  i taskforcës në nivel të republikës, në emër të Komisionit të Zhvillimeve Evropiane, që ka qenë përfaqësimi i kuvendit, përfshirë pozitë e opozitë në atë kohë për këtë proces. Duhet nënvizuar edhe rolin e jashtëzakonshëm të Bajram Rexhepit, si ministër i Punëve të Brendshme në atë kohë. Pra, janë qindra persona që më shumë se dekadë që kanë punuar pa ndal për këtë proces” tha ai.

Po ashtu, sipas Hazirit, VV nuk ka luajtur rol në këtë proces gjatë kohës sa është në pushtet, madje, në rast se liberalizimi nuk ndodh, VV do të ketë përgjegjësi.

“Për një vit e gjysmë, VV nuk ka punuar asgjë në këtë drejtim, nuk ka pasur asnjë lloj kërkese, përpos që e ka mirëmbajtur këto të dhëna, eventualisht sundimin e ligjit, që ka qenë përgjegjësi këto dy vitet e fundit me i bë qeveria. Se sa kanë arritur me i realizuar nuk e di dhe nëse penalizohemi për sundim të ligjit, do t’i bie përgjegjësia kësaj qeverie” përfundoi ai.

Mundësia e liberalizimit të vizave dhe roli i qeverisë Kurti në këtë proces, u komentua edhe nga PSD.

Bardh Ahmeti, anëtar i PSD-së, në një prononcim për Syri Kosova, ka ndërlidhur procesin e liberalizimit me atë dialogut, duke hedhur fajin te Qeveria Kurti për këtë të fundit, pasi sipas tij, kjo qeveri nuk ka plan konkret në lidhje me të.

“Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave tash e sa vite. Bile ka plotësuar kritere që asnjë vendi tjetër pos Kosovës nuk iu është kërkuar, siç ishte demarkacioni me Malin e Zi. Por, ne ende vazhdojmë të jemi pjesë e regjimit të vizave, për të cilat qytetarët e Kosovës i kanë shpenzuar 180 milionë euro në këto dy dekadat e fundit.  Tash u bë e kuptueshme që liberalizimi i vizave është ndërlidhur me procesin e dialogut me Serbinë.  Ndërkohë, opinioni publik është në terr sa i përket dialogut për dy arsye: E para, Kurti nuk ka asnjë platformë apo plan konkret për mënyrën sesi do të zhvillohet dialogu. Së dyti, këta kanë zgjedhur heshtjen, përballë opinionit publik e medieve, e neve na mbetet të kuptojmë detajet e takimeve më parë nga Vuçiq sesa Kurti.  Liberalizimi i vizave do të duhej të ndodhte dje. Është e padrejtë që Kosova të vazhdoj të mbetet vendi më i izoluar në Evropë me një regjim që na kushton shumë para për një burokraci krejtësisht të panevojshme” tha Ahmeti.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco