Avokati i Veselit e kishte parashikuar disa herë se Prokuroria s’ka prova për krime në Ferizaj

Avokati i Veselit e kishte parashikuar disa herë se Prokuroria s’ka prova për krime në Ferizaj

14:01, 01/10/2022

Jo vetëm një herë, por disa herë avokati i ish-kryeparlamentarit Veseli në Hagë, Ben Emmerson, e kishte theksuar se Prokuroria e Specializuar në Hagë nuk ka prova kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Hagës.

Këto deklarata që Prokuroria e Gjykata i shihtnin si normale nga një avokat mbrojtës në një proces gjyqësor, tanimë duket se po marrin kuptim.

Kjo pasi që Prokuroria ka hequr dorë nga pretendimet e saja për krime të kryera kundër së paku një viktime në rajonin e Ferizajt.

Çfarë ndodhi?

Prokuroria e Specializuar e Hagës ka dërguar mbrëmë një aktakuzë të ndryshuar kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E njëjta, përmban një akuzë më pak.

Bëhet fjalë për pretendimet se kundër një apo më shumë personave në rajonin e Ferizajt janë kryer krime.

“Prokuroria kërkon leje për të ndryshuar Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar për të hequr pretendimet për krime të kryera kundër së paku një viktime rreth [REDAKTUAR] 1999 në një shtëpi në ose përreth Ferizajt/Uroševac në komunën e Ferizajt/Uroševac (“Akuzat e Ferizajt/Uroševac”). Prokuroria shpjegon se vendosi të mos mbështetet në dëshmitë e [REDAKTUAR]13 dhe se konsideron se tani nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar pretendimet e Ferizajt/Uroševac. SPO argumenton se amendamentet e kërkuara nuk paragjykojnë ose nuk janë në përputhje me të drejtat e të akuzuarve”, thuhej në shkresën e Prokurorisë.

Çfarë thoshte avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson?

Disa herë, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson kishte thënë se Prokuroria nuk ka prova, as për kryerje fizike të krimeve nga krerët e UÇK-së e as për bashkëpunim në këto krime.

“Prokuroria e ka thënë hapur se nuk ka prova kundër tij, as për kryerje fizike të krimeve as për bashkëpunim në këto krime. Nuk ka prova që mund të tregojnë përfshirjen e tij në krime”, kishte thënë avokati britanik në njërën prej parashtresave të tij.

“Do të ishte e drejtë që Veseli të kthehej në shtëpi menjëherë dhe të jepej vendimi për pafajësinë e tij”, shtonte  Emmerson.

Në një tjetër rast, Emmerson thoshte se krerët e UÇK-së nuk ndërlidhen asgjë me pretendimet e Prokurorisë.

Madje thoshte se aludimet e Prokurorisë se kinse ka prova, janë vetëm justifikime të Prokurorisë.

“Këta njerëz s’kanë punë fare me këtë çfarë pretendohet, asnjë nga këta që janë në listë s’kanë lidhje me këta të pandehurit, është një kënetë kaotike dhe ata përpiqen të justifikojnë faktin që i kanë arrestuar këta 4 burra dhe kanë prova kundër tyre”, ka thënë ai.

”Me fjalë të tjera, e gjithë UÇK-ja po atakohet si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale dhe jo vetëm të akuzuarit”, shtonte Emmerson.

Vendimi i Prokurorisë për të hequr dorë nga një akuzë është i pari i këtij lloji.

Prokuroria e ka plotësuar disa herë aktakuzën ndaj krerëve të UÇK-së me pretendime të reja, teksa deri tani atyre u është refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco