Analistët: Presioni për formimin e asociacionit do të shtohet

Analistët: Presioni për formimin e asociacionit do të shtohet

12:19, 01/09/2022

Njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se presioni për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, do të shtohet kundrejt Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre, presioni do të shtohet edhe për shkak të zbatimit të marrëveshjeve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas arritjes se marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, e cila nga sot edhe ka filluar të zbatohet, presioni mbi Kosovën do të rritet ditëve në vazhdim për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend.

Dorajet Imeri tha për Radio Kosovën se presioni për formimin e asociacionit është i pritshëm.

“Realizimi i temave paraprake, ajo për energjinë, për targat dhe së fundmi kjo me dokumentet identifikuese, do t’i hapin rrugë edhe diskutimit për formimin e asociacionit. Çka është e rëndësishme është se kemi dy konfirmime dhe këto konfirmime janë se  Kosova nuk ka nevojë të themelojë një asociacion që është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe gjithçka tjetër që është në pajtim me rendin Kushtetues pse të mos bëhet”, tha Imeri.

Ndërkohë edhe analisti Artan Muhaxheri mendon se presioni ndaj Qeverisë së Kosovës për asociacionin, do të shtohet.

Por, Muhaxheri konsideron që Kosova duhet të këtë një përgjigje profesionale ndaj kësaj teme.

“Qeveria e Kosovës duhet të këtë një përgjigje profesionale dhe politike ndaj këtyre kërkesave, pasi tema e asociacionit nuk mund të prolongohet deri në pambarim”, tha Muhaxheri.

Ndryshe, i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë, javën që lamë pas, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk vendosin afate, por sipas tij, tema për formimin e asociacionit të komunave me shumice serbe duhet të jetë pjesë e agjendës së ardhshme të dialogut Kosovë – Serbi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco