Pas kërcënimit për shkak të grevës, Kurti tenton t’i “josh” mësimdhënësit me Ligjin e Pagave

Pas kërcënimit për shkak të grevës, Kurti tenton t’i “josh” mësimdhënësit me Ligjin e Pagave

12:15, 01/09/2022

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë së mërkurës bëri të ditur se mësimdhënësit grevistë nuk do ta marrin pagën e plotë.

Mësimdhënësit në tërë Kosovën tashmë kanë hyrë në grevë për përmirësimin e kushteve. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës së Kosovës së bashku me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës tashmë kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj ministri të Financave Hekuran Murati.

Kjo padi vjen pas kërcënimeve që kanë marrë nga ky i fundit, por edhe për shkak të mosekzekutimit të pagave.

Gjatë ditës së sotme (e enjte), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri.

Nga Gjakova ku mësuesit janë në grevë dhe asnjë shkollë nuk e ka filluar mësimin, Kurti tentoi t’i josh mësimdhënësit duke thënë se Ligji i Pagave do të del në diskutim publik javën tjetër.

Sipas tij, koeficienti për mësimdhënësit do të jetë më i mirë se në të kaluarën, ndërsa u bëri thirrje mësimdhënësve që t’i japin fund grevës.

“E kuptoj që greva është instrument i sindikatave, por sindikatat nuk  bën të jenë instrument i bojkotit të Qeverisë e shtetit. Shkolla nuk bën të bojkotohet. Është e drejt elementare e çdo fëmije që të edukohet”.

“Shpresoj se do të vazhdojë mësimi. Asnjë ditë e humbur e mësimit nuk kompensohet kollaj. Ju bëj thirrje prindërve e mësimdhënësve që ta kuptojnë se jemi në një moment historik dhe nuk bën të braktiset mësimi”.

“Sa i përket Ligjit të Pagave, ai tashmë ndodhet në diskutim paraprak dhe pas një jave do të jetë në diskutim publik. Koeficienti për mësimdhënësit është më i mirë se kurdo herë në të kaluarën”, deklaroi mes tjerash Kurti.

Tutje, u shpreh se për mësimdhënësit i kanë parasysh edhe përgjegjësitë menaxheriale të tyre dhe se do t’i vlerësojnë sipas përformancës e përgatitjes profesionale të tyre.

“Nuk ka kurrfarë urrejtje apo hakmarrje ndaj askujt. Por, një gjë duhet ta kuptoni – s’mund të paguhen njerëzit për punën që nuk e bëjnë. Ata duhet të paguhen për punën që bëjnë sipas meritës. Kjo nuk është jo vetëm çështje e ligjit, por edhe e arsyes së shëndoshë mendore”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco