Tash një javë Klinika e Onkologjisë pa ilaç që trajton kancerin e gjirit dhe lukthit

Tash një javë Klinika e Onkologjisë pa ilaç që trajton kancerin e gjirit dhe lukthit

09:13, 31/08/2022

Ka një javë që Klinika e Onkologjisë ka mbetur pa Herceptinë.

Kjo ka bërë që të paktën 70 pacientë me kancer të gjirit dhe të lukthit, që e përdorin këtë medikament si terapi mujore, të detyrohen që ta blejnë atë.

Pacientë, që nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, kanë treguar se kostoja është e papërballueshme, pasi çmimi i këtij citostatiku është 1.500 euro.

“Nuk mungon vetëm Herceptina, mungojnë edhe barna të tjera, por çmimi i Herceptinës është shumë i lartë dhe i papërballueshëm për 25 për qind të pacientëve të cilët kanë nevojë për të. Mbulueshmëria me barna kurrë nuk ka qenë e plotë, krahas edhe mungesave të tjera, stafi i pamjaftueshëm, sidomos atij të mesëm, aparatura, shtretërit e të tjera”, tha Nafije Latifi, nga “Jeta Vita”.

Në Onkologji tregojnë se fjala është për target terapi dhe se aktualisht është përmbushur rreth 75-80 për qind e Listës Esenciale të barnave.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Onkologjisë, Arben Bislimi, thotë të kenë bërë kërkesë për përmbushje të furnizimit me këtë ilaç për tremujorin e fundit.

“Ka një arsye për këtë mungesë. Karshi planifikimit që është bërë dhe liferimit të këtij medikamenti në klinikën tonë. Në klinikë janë një sasi e Herceptinës bio similare, faktikisht Trazumuabit similar, i cili sipas udhëzimeve, nuk duhet të jepet te pacientët që janë në vazhdimësi me këtë preparate, por vetëm tek ata që vinë si raste të reja dhe të cilët i kyçim në këtë medikament”, tha Arben Bislimi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Onkologjisë.

Shton se rritja e rasteve të reja me kancer është po ashtu faktor që ka ndikuar në mungesën e këtij bari.

Bislimi tregon për rëndësinë dhe rolin e citostatikut për pacientët me kancer.

“Është një ilaç, medikament target që përdoret, është antibody monoclonal terapi, mund të quhet ashtu. Kjo është specifike për përdorim të kancerit të gjirit, përdoret vetëm tek ata pacientët të cilët kanë ekspresion të gjeneve jo të tjerët, d.m.th. vetëm ata përfitojnë. Është ilaç shumë me benefit për pacientët, medikament që mund të them që ka bërë ndoshta edhe revolucion për benefitin në mbijetesë të përgjithshme edhe në mbijetesë së lirë pas sëmundjes te pacientët me kancer të gjirit”, tha Bislimi.

Sipas të dhënave, 190 deri në 200 pacientë me kancer të gjirit kanë marrë trajtim në Klinikën e Onkologjisë brenda gjashtë muajve./koha

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco