Kurti ia nis ftesat zyrtarisht opozitës për takim, kjo e fundit hesht

Kurti ia nis ftesat zyrtarisht opozitës për takim, kjo e fundit hesht

10:51, 29/08/2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë më parë u bëri thirrje krerëve opozitarë për tu takuar dhe për t’i informuar ata për takimin e fundit që pati në Bruksel për çështjen e dialogut.

Kurti deklaroi se dallimet e mospajtimet politike që kanë mes vete pozitë e opozitë, nuk duhet të tejkalojnë interesin shtetëror.

Ndonëse opozita deklaroi se nuk kanë pranuar ende ftesë për takim, nga Zyra e Kryeministrit kanë bërë të ditur se ftesat tashmë u janë dërguar.

“Dje u janë dërguar ftesat në formë elektronike, kurse sot fizikisht”, ka thënë  Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë.

Kryeziu ka bërë të ditur gjithashtu se Kurti i ka ftuar partitë opozitarë që të takohen nesër.

“Ftesa për takim është për ditën e nesërme, pra të martën”, tha zëdhënësi i Qeverisë.

Dje nga partitë opozitare deklaruan se nuk kanë pranuar ende ftesa për takim dhe se në momentin e pranimit të ftesës do të shqyrtojnë edhe pjesëmarrjen.

Nga AAK-ja dje  deklaruan se nuk kanë pranuar ftesë për takim.

“Në moment që kemi ftesë do e shqyrtojmë pjesëmarrjen dhe do të dalim me përgjigje”, deklaroi, zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka.

Ftesë për takim u tha se nuk kanë pranuar as në Partinë Demokratike të Kosovës, kurse nga LDK-ja nuk iu përgjigjen pyetjeve 

Ndryshe, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ka theksuar nevojë urgjente që të zhvillohet një dialog i brendshëm pozitë-opozitë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haziri ka theksuar se përafrimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, ka krijuar një momentum të ri për procesin i cili duhet të kapitalizohet.

Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve.

Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.

Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.

Ndërkaq, më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e makinave. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco