Drama me çmimin e rrymës në Kosovë

Drama me çmimin e rrymës në Kosovë

09:52, 19/08/2022

6 orë me rrymë e dy pa të, fatura të shtrenjta apo jo? Përderisa për të parën qeveria po provon të gjejë zgjidhje duke bashkëpunuar me qeverinë e Shqipërisë, për këtë të dytën, pritet që Gjykata Kushtetuese të dalë me një verdikt.

Megjithatë, derisa Kushtetuesja të vendosë, ka të ngjarë që çmimi i rrymës të rritet sërish. Kjo pasi, KESCO ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit ta shqyrtojë rritjen sërish të çmimit.

E pavarësisht vendimit të Gjykatës, e vendimit të ZRrE-së për rritjen e çmimit të rrymës, reduktimet pritet të vazhdojnë.

Partia Demokratike e Kosovës kishte paditur Zyrën e Rregullatorit, në lidhje me çka patëm 2 vendime të ndryshme nga 3 instanca gjyqësore në lidhje me caktimin e masës së përkohshme.

Dy gjykatat e shkallës më të ulët e aprovuan padinë e PDK-së, duke pezulluar vendimin e ZRrE-së për rritje të çmimit të rrymës, e më pas Supremja e hoqi masën e përkohshme.

Pas këtij vendimi të Supremes, PDK-ja e dërgoi lëndën në Gjykatën Kushtetuese, për të vërtetuar kushtetutshmërinë e vendimit të Supremes.

Avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, i ka thënë gazetës Nacionale se është fatkeqësi vendimi i Gjykatës Supreme.

“Fatkeqësisht Gjykata Supreme e ka vendosë këtë çështje dhe e ka mbyllë këtë temë. Neve na ka mbetë vetëm Gjykata Kushtetuese si instancë e vetme, për ta verifikuar nëse vendimi i supremes është në pajtim me kushtetutën apo jo”, tha Fetahu.

Tutje ai ka treguar se nuk pret që shpejt të zgjidhet rasti në Kushtetuese, por që është i bindur se e njëjta do ta prishë vendimin e Supremes.

“Procedimi i rastit në Kushtetuese vetëm sa ka filluar. Është proces që merr kohë. Por ne jemi të bindur se Gjykata Kushtetuese, do t’i konstatojë shkeljet e Supremes, sidomos atë për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, me çka Supremja do të detyrohej ta rishikonte vendimin e saj, dhe në fuqi do të mbeteshin vendimet e themelores dhe apelit”, deklaroi avokati Faton Fetahu

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk i janë përgjigjur email-it të Gazetës në lidhje me këtë rast.

Kronologjia e kontestit në mes PDK-së e ZRrE-së

Kujtojmë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë, më datë 9 shkurt të këtij viti, pati vendosur për rritjen e çmimit të energjisë. Ndaj këtij vendimi u organizuan protesta në rrugë, e brenda zyrës së rregullatorit. Më e zëshmja kundër këtij vendimi doli partia joparlamentare, ajo e PSD-së.

PDK nisi procesin gjyqësor ndaj ZRrE-së, duke dorëzuar padi në gjykatë, për vendimin e kësaj zyre, me të cilin po shtrenjtohej rryma në vend.

Gjykata Themelore në Prishtinë e trajtoi me urgjencë këtë lëndë. Saktësisht 2 muaj pas hyrjes në fuqi të shtrenjtimit të rrymës, pra më 9 prill, gjykata i vuri masë të përkohshme këtij vendimi, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

“Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të paditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor me padinë e paditëses”, thuhej në vendimin e Gjykatës Themelore.

Madje, PDK-ja kishte dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj ZRrE-së, e cila nuk po e zbatonte vendimin e gjykatës së shkallës së parë, me arsyetimin se do të ankohen në Apel.

Kjo pasi edhe Apeli e vërtetoi vendimin e themelores.

Supremja vendosi ndryshe. Shkalla më e lartë e gjyqit në Kosovë, ishte ajo që mori vendim ndryshe nga dy instancat më të ulëta. Supremja vendosi ta heqë masën e përkohshme, me çka pezulloheshin faturat e shtrenjta.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe ka refuzuar si të pabazuar kërkesën-propozimin e paditësit Partia Demokratike e Kosovës, për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji. Gjykata Supreme përmes aktgjykimit ARJ nr.45/2022, vlerëson se duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, nuk mund të aprovohet si i drejtë dhe ligjor qëndrimi juridik i gjykatës së Apelit dhe i gjykatës së shkallës së parë si në aktvendimet e kontestuara me kërkesë”, thuhet në vendim.

Deri në përfundimin e këtij rasti nga Kushtetuesja, faturat do të mbesin me të shtrenjtën.

Por a do të dalë Kushtetuesja me një vendim para dimrit apo jo, mbetet të shihet.

Reduktimet e rrymës

Reduktime, 2 orë pa rrymë pas 6 orëve me të. Ky ishte njoftimi “i trishtë” i KEDS-it të dielën, i cili ngjalli reagime të shumta te qytetarët.

“Prej nesër, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor. Kjo, pasi KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë. Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi”, thuhej në njoftimin e KEDS-it të dielën.

Reaguan edhe politikanë e pjestarë të shoqërisë civile. Më në fund u tha se çështja e energjisë u “zgjidh”, sepse do të furnizohemi nga Shqipëria. E më pas u mor vesh se reduktimet do të kthehen, e se furnizimi nga Shqipëria zgjati vetëm një ditë.

Përveç debatit të brendshëm në Kosovë e bashkëpunimit me jashtë, pra atë me Shqipërinë, çështja e rrymës momentalisht është edhe në një kontest gjyqësor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco