A mund t'i shmanget Kurti themelimit të Asociacionit?

A mund t'i shmanget Kurti themelimit të Asociacionit?

07:55, 19/08/2022

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është rikthyer në vëmendje. Më saktësisht, formimi i tij. Emisari special i SHBA-së, Gabriel Escobar, edhe të mërkurën në mbrëmje e përsëriti kërkesën amerikane për themelimin e Asociacionit sipas Kushtetutës së Kosovës.

Në të njëjtën linjë janë edhe Bashkimi Evropian, teksa kryeministri Kurti vazhdon të theksojë se nuk do të ketë Asociacion një-etnik.

Eksponentë të partive opozitare sot i thanë Nacionales se Kurti duhet ta kuptojë se nuk mund t’i ikë formimit të Asociacionit.

Ndërsa analistët theksojnë se Kosova e ka për detyrë ta themelojë atë, por theksojnë se një gjë të tillë s’duhet ta bëjë pa njohjen e pavarësisë nga Serbia.

“Jo Asociacion pa njohje”

Analisti Nexhmedin Spahiu ishte i shkurtër në pyetjen rreth hapave të ardhshëm të Kosovës përkitazi me temën e Asociacionit.

Spahiu mendon se nuk duhet të formohet asociacioni pa njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Jo pa u nënshkruar marrëveshja e njohjes reciproke që formimi i Asociacionit nënkupton edhe njohjen e Kosovës nga Serbia”, tha ai në një përgjigje të shkurtër për Nacionalen.

Ndërsa politologu Shkodran Ramadani,  tha se Asociacioni do të formohet, duke treguar se Kosova megjithatë dikur e kishte një mundësi të shpëtonte nga kjo temë.

“Asociacioni do të formohet për shkak se është kërkesë e Serbisë të cilën e ka pranuar Kosova në dialogun e Brukselit, dhe e cila mbështetet edhe nga SHBA-ja dhe BE-ja. Po ashtu, ka edhe një vendim të Kushtetueses për këtë, ku kërkohet formimi i Asociacionit. Megjithatë, është me rëndësi të përmendet fakti që në momentin që shkëmbimi i territoreve ka dalë si temë në tavolinë, themelimi i Asociacionit ka qenë opsional dhe joobligativ. Duke gjetur një zgjidhje tjetër, Kosova pati arritur të krijonte një shteg politik ku Asociacioni është i shmangshëm. Por, në momentin që Kosova ka refuzuar shkëmbimin, ajo ka zgjedhur Asociacionin e serbëve (apo siç VV-ja ka dëshirë ta quajë - Zajednicën)”, ka thënë Ramadani.

Ramadani pajtohet me Spahiun, duke sqaruar se Asociacioni nuk duhet të themelohet pa e fituar në këmbim njohjen.

“Gjë tjetër e rëndësishme është se çfarë do të marrë Kosova në këmbim të themelimit të Asociaconit. Edhe një Asociacion pa kompetenca ekzekutive pa njohje do të ishte një disfatë e rëndë për Kosovën”, përfundoi ai.

Profesori universitar Emin Azemi, tha për Nacionalen se Kosova nuk mund ta shmangë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si duket është kushti themelor që e shpie Kosovën drejt marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Kosova nuk mund ta refuzojë formimin e Asociacionit, por kjo mund të bëhet vetëm me kusht që të mos cenohet sovraniteti juridik e tokësor i Kosovës, që i bie të formohet konform normave kushtetuese të Kosovës”, tha ai.

Ndërsa analisti Xhevdet Pozhari konsideron se çështja e Asociacionit duhet të zgjidhet brenda një kornize që rregullon të drejtat e pakicave.

“Për mendimin tim, në tryezën e dialogut avantazhi i delegacionit të Kosovës do të tjerrë tema për Kornizën e Marrëveshjes së Përgjithshme. Njëra kategori brenda kësaj kornize mund të jenë të drejtat e minoriteteve në Kosovë. Kjo është në përputhje edhe me deklarimet e përfaqësuesve të tyre politikë të cilët pas takimit me ambasadorët e QUINT-it, deklaruan se duhen të jenë të sinqertë me minoritetin të cilin e përfaqësojnë dhe se jetojnë në një realitet të ri: Kosova është shtet i pavarur”, tha Pozhari.

Pa marrëveshje

Kujtojmë që sot në Bruksel është mbajtur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas tensioneve të mëdha të javëve të fundit si pasojë e reciprocitetit të targave dhe dokumenteve.

Përkundër dy rundeve të bisedimit, asgjë e re nuk polli nga takimi Kurti-Vuçiq.

Ishte vetë shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell, që lajmëroi mossuksesin e negociatave të sotme.

Pas takimit që u mbajt sot në Bruksel mes palës kosovare dhe serbe, ndërmjetësuesi Borrell tha se qëllimi i këtij takimi ishte tejkalimi i krizës aktuale midis palëve dhe shtendosja e situatës në terren.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco