Frika e luftës është përhapur në BeH dhe Kosovë

Frika e luftës është përhapur në BeH dhe Kosovë

09:38, 09/08/2022

“Serbët dhe kroatët besnikë ndaj Kremlinit duan të shkatërrojnë Bosnjën duke shpallur shtete të pavarura. Mercenarët rusë dyshohet se janë tashmë në rajon”.

Kështu shkruan korrespondentja nga Sarajeva, Adelhaid Velfl  në një artikull të titulluar “Putini dhe zjarrvënësit e tij” për të përditshmen zvicerane Neue Zürcher Zeitung, transmeton Deutsche Welle.

“Në Bosnje dhe Hercegovinë, frika e luftës është përhapur, konflikti mes kosovarëve dhe serbëve po vlon sërish dhe qeveria reformiste në Bullgari ka rënë, pjesërisht për shkak se mbështeti linjën e ashpër të BE-së kundër Rusisë. Por Bosnja, ku zgjedhjet mbahen në tetor, është një pikë veçanërisht e cenueshme në atë hartë rreziku”, shkruan gazeta zvicerane.

Në këtë artikull thuhet se Millorad Dodik dhe miqtë e tij në Kremlin nuk janë kërcënimi i vetëm për Bosnjën. Edhe Dragan Çoviç, kreu i partisë boshnjako-kroate kërcënon vazhdimisht me “riorganizimin institucional dhe territorial” të shtetit, pra krijimin e një entiteti të tretë brenda shtetit. Shkurt, shpërbërjen e Bosnjës.

Madje, thuhet se Çoviç merr ndihmë edhe nga presidenti kroat Zoran Milanoviç i cili njihet si mbështetësi i Vladimir Putinit brenda Bashkimit Evropian.

“Si në rastin e Dodikut, edhe Moska është pas Çoviç-it. Këtë pranverë, partitë e këtyre dy nacionalistëve votuan gjithashtu kundër pranimit të Bosnjë-Hercegovinës dhe sanksioneve të BE-së kundër Kremlinit. Çoviç merr ndihmë edhe nga presidenti kroat Zoran Milanović. “Zoki”, siç e quajnë Milanoviçin, jo vetëm që shquhet si mbështetësi i Putinit në BE por ai ndërhyn gjithnjë e më shumë në politikën e brendshme të Bosnjës”.

Tutje, gazeta gjermane Velt shkruan për konfliktin që mund të ndizet në Evropë, nën hijen e luftës në Ukrainë. Fjala është për marrëdhëniet e tensionuara midis Kosovës dhe Serbisë si pasojë e ngjarjeve që ndodhën ditë më parë në veri të Kosovës.

Korrespodenti i agjencisë gjermane të shtypit, Tomas Braj thotë se “Aleksandër Vuçiç është shpresa e vetme e BE-së për të arritur një kompromis për çështjen e Kosovës që do të ishte i pranueshëm nga populli serb”.

Sipas Braj, presidenti serb edhe pse ka lidhje të ngushta ekonomike me BE-në, “ideologjikisht është i orientuar drejt Lindjes”.

Një pjesë e përgjegjësisë për situatën e krijuar i takon BE-së, thotë Braj, sepse “nuk vepron e bashkuar sepse interesat e shteteve anëtare janë të ndryshme”.

Edhe eksperti i politikave ballkanike, Bodo Weber, nga “Qendra e Berlinit për Politikat e Demokratizimit” është i të njëjtit mendim.

Ai thotë se dialogu Kosovë-Serbi, i iniciuar qysh në vitin 2013, ka vite që është në krizë. Arsye për këtë, Weber vlerëson se “konfliktet tjera ishin më me prioritet për BE-në”.

“Përpjekjet jo transparente në vitin 2017 nga ish-shefja për Punë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, për të bindur të dy vendet që të bien dakord për shkëmbimin e territoreve ishin në shërbim të interesave nacionaliste dhe minuan besimin në rolin udhëheqës të BE-së”.

Ndryshe mendon ambasadorja e Serbisë në Berlin, Snezhana Jankoviç.

Ajo për “Berliner Zeitung” vlerëson se “barazimi i politikës së Serbisë me politikën e presidentit rus është i pasaktë.

“Është jashtëzakonisht e padrejtë kur Serbia, në kontekstin e Ukrainës, paraqitet si aleate e Rusisë”, u shpreh ajo.

Jankoviç pohon se Serbia nuk i njeh republikat e Donetskut dhe të Luganskut, pasi sipas saj “u cenua integriteti territorial i Ukrainës, ashtu siç u cenua integriteti i Serbisë nga sulmi i NATO-s”.

Ambasadorja duke folur për ngjarjet në veri të Kosovës tha se “Serbia nuk do të lejojë trazira kundër serbëve në Kosovë si në vitin 2004” dhe se Beogradi “do të bëjë gjithçka, kryesisht përmes kanaleve diplomatike, për ta parandaluar këtë.”

Në fund, ambasadorja tha se “Beogradi është i bindur se përshpejtimi i pranimit të Serbisë në BE do të sillte një ulje të përhershme të tensioneve” dhe i bëri thirrje BE-së dhe Gjermanisë që ta mbështesin Serbinë në rrugën e diplomacisë”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco