Presidenti serb flet për një task forcë që e udhëheq Kurti, përmend emrin e komandantit

Presidenti serb flet për një task forcë që e udhëheq Kurti, përmend emrin e komandantit

10:09, 03/08/2022

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka luajtur rolin e spiunit gjatë një interviste që po jepte në televizionin publik serb, duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka krijuar një task forcë, që sipas tij, ka ndaluar shoferin e ambulancës dje në kufi.

“Nuk kanë qenë njësitet e ROSU që e kanë bërë atë, por të ashtuquajturat agjenci speciale e inteligjencës. Task Forca, e cila drejtohet drejtpërdrejt nga Albin Kurti dhe Qeveria e Prishtinës dhe aksioni u drejtua nga Xhavit Tahiri”, ka spekuluar Vuçiq.

 

Propagandën që e përhapi dje drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, se katër policë të njësisë speciale “kanë rrëmbyer Dejan Spahiq dhe një pjesëtar i ROSU-s hipën pas timonit të një ambulance dhe të gjithë shkuan në drejtim të panjohur drejt jugut” e demantoi shpejt Policia e Kosovës, e cila tha se shoferi i ambulancës ishte në gjendje të dehur dhe kishte penguar zyrtarët policorë, prandaj ishte shoqëruar për në stacionin policor.

“Gjatë realizimit të detyrave policore në një pikë kontrolli në veri të Mitrovicës, zyrtarët policorë kufitar  janë penguar në kryerje të detyrës nga një person i cili ishte në gjendje të dehur, e i cili sipas procedurave policore është shoqëruar në stacion policor. Të gjitha veprimet ndaj të njëjtit do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka sqaruar Policia e Kosovës.

Për këtë rast, Vuçiq në RTS dezinformoi publikun se shoferi serb po transportonte ilaçe dhe se s’kishte kryer asnjë faj.

“Kanë kapur një serb që nuk ishte as fajtor, i cili po transportonte ilaçe. Ata do të thonë se ai është fajtor se ka qenë në një demonstratë afër barrikadave. Epo të gjithë serbët janë në barrikada sepse nuk mendojnë se Kosova është shtet i pavarur dhe pastaj Kurti para Quintit thotë se po luftojnë kundër mafies dhe krimit. Dhe ata thonë natyrisht të gjithë serbët janë mafiozë përveç atyre që thonë se Kosova është e pavarur”, tha Vuçiq.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco