Begaj zhvillon bisedë telefonike me Osmanin: Shqipëria do mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut

Begaj zhvillon bisedë telefonike me Osmanin: Shqipëria do mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut

15:26, 01/08/2022

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa ka ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Kosovës.

Gjatë bisedës me homologen e Kosovës, ai përshëndeti vendimin e matur që autoritetet e Kosovës morën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të shtyrë zbatimin e vendimit të reciprocitetit me Serbinë për çështjet e dakordësuara më herët.

Kreu i shtetit nënvizoi se vendimi shmangu një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë e rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë.

Presidenti i Republikës nënvizoi se, Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovraniteti i saj mbetet i pacënueshëm.

Presidenti i Republikës tha se i bashkohet thirrjes së aleatëve në NATO dhe partnerëve ndërkombëtare për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilietit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Begaj gjatë bisedës telefonike me Presidenten Osmani./

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco