Blinken u foli në takim për tokat rreth Manastirit të Deçanit – si do ta adresojnë kërkesën e tij institucionet e Kosovës?

Blinken u foli në takim për tokat rreth Manastirit të Deçanit – si do ta adresojnë kërkesën e tij institucionet e Kosovës?

10:53, 31/07/2022

Tashmë prej vitesh Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerr vendimin se 24 hektarë tokë përreth objektit të manastirit janë pronë e Manastirit të Deçanit.

Por, vendimi s’është përfillur as nga niveli qendror e as ai nga ai lokal.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe në një intervistë të tij për Zërin e Amerikës tha se nuk duhet harruar që kjo tokë ishte dhuratë e Sllobodan Millosheviç-it për Manastirin dhe serbët do të duhej të distancoheshin nga kjo e kaluar.

Sipas Kurtit, një zgjidhje duhet të gjendet dhe ai është i gatshëm për këtë, megjithatë s’duhet të ngatërrohet trashëgimia kulturore me çështje të pronësisë.

“Ne jemi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, pa dallim religjioni, por trashëgimia kulturore dhe pronësia nuk janë e njëjta gjë dhe unë kam shprehur gatishmërinë time që të fillojmë bisedimet me autoritetet religjioze ortodokse në Kosovë të nacionaliteti serb, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të mirë”, deklarori Kurti.

“Por, duhet theksuar që ashtu siç ne kërkojmë nga Serbia që të distancohet në të tashmen nga Putini, kërkojmë që të distancohet edhe nga e kaluara, përkatësisht nga Millosheviçi, sepse bëhet fjalë për 24 hektarë të cilët kanë qenë dhuratë e Millosheviç-it për Manastirin e Deçanit”.

Kryeministri ka shtuar se dikur ajo tokë “ka qenë pronë publike dhe nuk do të duhej që ta abstrahojmë këtë fakt”.

Megjithatë, shtetet e QUINT-it s’janë marrë me atë se kush i dhuroi dikur, por kujt i takojnë tani.

Kërkesa ka qenë që të respektohet vendimi dhe këtë kërkesën ua ka bërë edhe sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken, Albin Kurtit e Vjosa Osmanit gjatë takimit të përbashkët.

Këtë e pranoi edhe vetë Osmani, e cila tha se “sa i përket çështjes së Manastirit të Deçanit është shtruar në kontekstin të cilën gjithnjë e keni dëgjuar edhe me herët nga ana e palës amerikane, në kontekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Edhe Kurti e ka pranuar që me Blinken kanë biseduar rreth Manastirit të Deçanit, por ka thënë se pjesa më e madhe e takimit kishte të bënte me tema të tjera.

“Rreth 80 për qind të vëllimit kohor të atij takimi ka pasur të bëjë për marrëdhëniet bilaterale dhe kontekstin ndërkombëtare, po është diskutuar edhe çështja e Manastirit të Deçanit, por unë po e theksoj se vëllimi kohorë i takimit rreth 80 për qind ka qenë rreth kontekstit ndërkombëtar dhe marrëdhëniet tona bilaterale me SHBA-të”, deklaroi Kurti.

Ditët në vijim do të kuptohet më shumë se çfarë është biseduar saktësisht për tokat rreth Manastirit dhe cili do të jetë vendimi i Qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco