'Festim si gjatë 50 viteve diktaturë, me retushim të aktorëve dhe personazheve historike'

'Festim si gjatë 50 viteve diktaturë, me retushim të aktorëve dhe personazheve historike'

08:50, 31/07/2022

Nga Enver Bytyçi

U festua me shumë bam-bame ajo që u konsiderua 100- vjetori i lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po të isha unë organizator i kësaj feste, do të bëja diçka të thjeshtë, pa shumë vëmendje. Kjo për disa arsye:

Së pari, vërtet 28 korriku ishte 100-vjetori i lidhjeve diplomatike, por janë vetëm 49 vite marrëdhënie diplomatike. Në vitet e pushtimit nazi-fashist dhe të diktaturës SHBA-të nuk kishin marrëdhënie diplomatike me Shqiperinë. Kjo kap një periudhë prej 51 vitesh. Prandaj dhe është e diskutueshme nëse duhet të konsiderohet 100 vjetor apo 49 vjet lidhje të përbashkëta midis dy vendeve.

2. Lidhjet diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA-ve u realizuan në vitin 1922, kur kryeministër dhe arkitekt i këtyre lidhjeve ishte Ahmet Zogu. Në vitet e Mbretit Zog I këto marrëdhënie ishin të shkëlqyera. Por asnjë aktivitet përkujtimor i këtyre ditëve, aq me pak ne takimin e kryeministrit dhe miting-koncertin e datës 28 korrik, nuk promovoi këtë fakt! Gjithçka u fokusua te kulti i Edi Ramës! E nëse edhe ditëlindja e babës tim do t'i shërbente kultit të Ramës, ose dikujt tjetër, nuk do isha dakord të festohej! U duk sikur i gjithë organizimi i festës(ave) po i shërbente pushtetit të pakufizuar të kryeministrit shqiptar! Madje edhe fotot u shiten si të tilla!

3. Nëse festohej 100 apo 49-vjetori i lidhjeve diplomatike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, atëherë duhej shënuar pa frikë e vërteta historike se vizita e George W. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007 është pika kulmore e këtyre marrëdhënieve. Po ashtu vizitat në Shtëpinë e Bardhë të presidentëve dhe kryeministrave shqiptarë. Apo akti i pranimit në NATO të Shqipërisë. Nuk ka event tjetër të këtyre përmasave në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Por këto ngjarje u fshinë nga kujtesa përkujtimore për arsye të politikës ditore. Një ngjarje perkujtimore që nuk i përmbahet së vërtetës është demagogji! Të tilla shqiptarët kanë festuar me qindra gjate 50 viteve diktaturë. Me retushim të aktorëve dhe personazheve historike. E njëjta gjë ndodhi në rastin e përkujtimit të ditës kur u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike me Amerikën.

Pa asnjë dyshim, edhe nëse kjo datë festohet çdo vit, ajo i bën mirë kujtesës historike të shqiptarëve. Por kur humbet objektiviteti dhe e vërteta fshihet pas vendimeve "non-grata", atëherë një festë e tillë kthehet në të kundërtën e efektit të saj, për të cilin është nisur të zhvillohet!

Historia është e pamëshirshme, nuk fal as më të fuqishmin! Prandaj dhe diplomacia duhet të jetë më fleksibel!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco