Kush e vrau Enver Zymberin?

Kush e vrau Enver Zymberin?

09:28, 27/07/2022

Ka kaluar më shumë se një dekadë, por ende nuk dihet kush e vrau zyrtarin policor Enver Zymberin, më 25 korrik të vitit 2011.

Atëkohë, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kishte nisur një aksion për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës në Jarinjë dhe Bërnjak.

Por, forcat speciale të policisë, hasën në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe mbeti i vrarë Zymberi.

Për këtë vrasje, sipas Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, kanë qenë dhjetë persona të dyshuar.

Wigemark, në një intervistë të dhënë për Albanian Post vitin e kaluar, pati thënë se rasti në fjalë ‘’ka qenë shumë i ndërlikuar’’.

‘’E kemi një arkiv goxha të madh i cili është në dispozicion për të gjithë. Fillimisht kanë qenë dhjetë persona të dyshuar të cilët i kemi trajtuar, por përveç dy prej tyre, të gjithë janë liruar dhe shfajësuar. Procedura është bërë më ndihmën e një prokurori të EULEX-it dhe Prokurorisë së Mitrovicës’’, theksoi Wigemark.

Ai ka treguar për AP se janë bërë hetime komplekse, porse ende nuk janë zbuluar autorët e vrasjes së policit nga Vushtrria.

‘’Dy të dyshuar janë shpallur të pafajshëm, që do të thotë që nuk ka pasur prova të mjaftueshme për t’i mbajtur përgjegjës’’.

Gjykata i shpalli të pafajshëm të dyshuarit

Tri vite më pas, polica e EULEX-it i kishte arrestuar si të dyshuar për vrasjen e Zymberit, Radomir Radiçin dhe Millovan Vllaskoviçin, të cilët më pas Gjykata Themelore e Mitrovicës i kishte shpallur të pafajshëm nga akuzuat që u viheshin në barrë.

Ndërkaq në vitin 2015 ishin arrestuar shefi i Operativës në Policinë e Kosovës në stacionin e veriut të Mitrovicës, Miodrag Llekiç, si dhe vëllai i tij, po ashtu pjesëtar i policisë në këtë stacion si të dyshuar për vrasjen e Zymberit.

Vëllezërit Llekiç ishin intervistuar në cilësinë e të dyshuarve nga zyrtarë të EULEX-it.

Por, vetëm një muaj më pas dy të lartcekurit ishin liruar si të pafajshëm nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

“Gjykata i shpalli dy të akuzuarit të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës sepse nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se ata i kanë kryer, në bashkë-kryerje, këto vepra penale: Vrasje e rëndë, Tentim-vrasje e rëndë, Mbajtja në pronësi, Kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, Rrezikimi i trafikut publik me anë të veprimeve apo mjeteve të rrezikshme, Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, Pjesëmarrja në turmë e cila kryen vepër penale”, thuhej në njoftimin e gjykatës.

Ish-kryeprokurori Syla: S’kam qenë i kënaqur me punën e EULEX-it

Por, ish-kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqeri Syla, është shprehur i pakënaqur me punën e EULEX-it për identifikimin e vrasësve të Zymberit.

‘’Nuk kam qenë i kënaqur me punën e EULEX-it asnjëherë, as në këtë rast as në rastet e tjera, ata vetëm kanë qenë të interesuar ta zgjasin mandatin e tyre, por nuk kanë punuar sa duhet. Kanë arrestuar dy persona, por janë liruar. Ka pas edhe disa dëshmitarë që janë dëgjuar, por unë nuk kam marr pjesë, vetëm jam informuar nga EULEX-i’’.

Ai ka potencuar se në atë kohë në lëndën e Enver Zymberi kanë punuar vetëm prokurorët e EULEX-it, ‘’kanë arrestuar disa persona, lënda ka mbet në EULEX dhe nuk e di çka ka ndodh më tutje me atë lëndë’’.

Të martën e 26 korrikut u shënuar Dita e Policëve të rënë në kryerje të detyrës në Kosovë.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Enver Zymberi është dëshmor i sovranitetit dhe ligjshmërisë së Kosovës. I pari i ekzekutivit në nderim të rënies së Enver Zymberit në Veri të Kosovës, më 26 korrik të vitit 2011, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook ka atë.

Sipas Kurtit, 26 korriku, dita e rënies si dëshmor i pjesëtarit të Policisë së Kosovës, është shënuar me emër të përveçëm.

“Ai u vra nga struktura kriminale serbe, që asnjëherë deri sot nuk janë zbuluar dhe nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Ushtar i UÇK-së në luftë më 1999, Enver Zymberi ra dëshmor i veshur me uniformën e policisë, në kryerje të detyrës zyrtare dhe në bartje të misionit për shtrirjen e plotë të sovranitetit”, ka shkruar Kurti.

Enver Zymberi, oficer i Policisë së Kosovës, është vrarë në përballje me një grup serbësh të armatosur në veri, gjatë operacionit të 25 korrikut të forcave kosovare për të rimarrë kontrollin në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco