Latifit i bie në mend që punon në Kosovë, fillon të frekuentojë edhe komunat e vendit

Latifit i bie në mend që punon në Kosovë, fillon të frekuentojë edhe komunat e vendit

19:56, 26/07/2022

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka filluar të vizitojë komunat e Kosovës pasi ka kryer disa udhëtime nëpër botë. Ministria që ai drejton, sot bëri të ditur me anë të një komunikate se ai ka qenë sot në Skenderaj, Klinë dhe Istog.

Aty ai është takuar me kryetarët e komunave, me drejtorët e Departamenteve të Shëndetësisë, me drejtorët e QKMF-ve, dhe më stafin mjekësor.

Kjo është komunikata e plotë:

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, ka vizituar QKMF-të, në komunat e Skënderajt, Klinës dhe Istogut, ku u takua me kryetarët e komunave, me drejtorët e Departamenteve të Shëndetësisë, me drejtorët e QKMF-ve, dhe më stafin mjekësor.

Qëllimi i këtyre vizitave, ishte thirrja për vaksinim të qytetarëve dhe dhënia e mirënjohjeve për stafin mjekësor dhe infermierët, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre, dhanë gjithçka nga vetja për të mbrojtur qytetarët në kohën më të vështirë të pandemisë COVID-19.

Me këtë rast, ministri Latifi shprehu falënderimin e thellë për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë të gjithë në qendrat e vaksinimit anekënd Kosovës për imunizimin e popullatës tonë kundër COVID-19, nën mbikëqyrjen e Komitetit për imunizim dhe Ekipit menaxhues të këtij procesi.

Ministri Latifi, tha se për një kohë të gjatë, vaksinimi kundër COVID-19 ka qenë prioritet numër një në botë në ballafaqimin me COVID-19 dhe, gjithashtu, edhe në Kosovë. Dhe, të jesh në krye dhe pjesë e këtij procesi jetik për shëndetin publik të popullatës, është sa përgjegjësi, aq edhe motiv dhe privilegj për t’i shërbyer popullatës në ditë shumë të vështira.

“Ju e keni bërë dhe e këni dëshmuar këtë! Jemi dëshmitarë se pandemia COVID-19 na ka sjellë shumë vuajtje të gjithëve. Por, në anën tjetër, ajo ka shpalosur edhe anën më të mirë profesionale dhe humanitare të mantelbardhëve të Kosovës. Përderisa klinicistët janë heronjtë tanë në trajtimin e të prekurve me COVID-19, ju dhe ekipet e vaksinimit jeni heronjtë e parandalimit të shumë vdekjeve nga COVID-19 në Kosovë, përmes vaksinimit”, tha ministri Latifi.

Ministri Latifi, shtoi se përmes dhënies së mbi 1. 8 milionë doza të vaksinës, nga të cilat 63% të popullatës mbi 12 vjeçe kanë marrë nga një dozë dhe 57% nga dy doza; dhe 70% të popullatës së moshës mbi 18 vjeçe kanë marrë nga një dozë dhe 64% nga dy doza; janë shpërtuar qindra apo edhe mijëra jetë.

E tëra kjo, sipas ministrit Latifi, përmes një vaksinimi që në Kosovë filloi më së voni në rajon, por falë përkushtimit tuaj, e renditi vendin tonë në mesin e shteteve më të mira në rajon për vaksinimin kundër COVID-19.

Prandaj, ministri Latifi veçoi se mirënjohja për ju dhe të gjithë ata që ishin pjesë e këtij angazhimi është më se e merituar.

“Por, sot, kur pabarazitë në këtë proces ndjehen ende në pjesë të ndryshme të botës dhe kur pandemia COVID-19 nuk ka përfunduar, nuk është koha për t’u ndalur. Keni nevojë të mbajmë dhe forcojmë mburojën tonë kundër COVID-19”, tha mes tjerash ministri Latifi.

Temë diskutimi në këto takime ishte edhe hapka e vaksnimin me dozën e katërt për personat mbi 40 vjeç ndërsa kemi lejuar edhe vaksinimin e fëmijëve prej 5-11 vjeç.

“Komiteti po diskuton mundësinë që së shpejti me dozën e katërt të lejojë vaksinimin edhe të personave me sëmundje kronike. Vaksina kemi mjaft, të sigurta dhe efektive. Prandaj, duke qenë që i kemi të gjitha kushtet, duhet të rrisim ritmin e vaksinimit dhe unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëvë që të vaksinohen pa asnjë hezimim. Mjekëve, infermierëve, mësimedhënësve, grave shtatzëna dhe kategorive të tjera”, tha ministri Latifi.

Vaksininimi, sipas ministrit Latifi, mbetet mënyra më e thjeshtë dhe më efektive në parandalimin e formave të rënda të sëmundjes nga COVID-19, por edhe e luftimit të epidemive dhe pandemive të ndryshme.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Skënderajt, Fadil Nura, faënderoj ministrin Latifi për vizitën dhe mblahtetjen për nevojat e kësaj komune, në përmirësimin e sistemit parësor shëndetsor.

Kurse, kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati, tha se vizita e ministrit Latifi, tregon përkushtinin e tij për shëndetin e qytetarëve, në mënyrë që të kemi shërbime sa më të mira për pacientët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco