Raketat ruse godasin portin e Odesës një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për grurin

Raketat ruse godasin portin e Odesës një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për grurin

20:15, 23/07/2022

Ukraina njoftoi se raketat ruse goditën infrastrukturën në portin ukrainas të Odesës më 23 korrik, një terminal i rëndësishëm i Detit të Zi, një ditë pasi u nënshkrua një marrëveshje historike për të rifilluar eksportet e grurit të bllokuara nga lufta.

“Armiku sulmoi portin tregtar detar të Odesës me raketa lundrimi Kalibr”, shkroi Komanda Operacionale Jug në aplikacionin Telegram.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se “Rusia do të mbajë përgjegjësinë e plotë për thellimin e krizës globale të ushqimit” nëse marrëveshja dështon.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka dënuar sulmin me raketa në portin ukrainas të Odesës, i cili ndodhi një ditë pasi Kievi dhe Moska arritën një marrëveshje për të zhbllokuar eksportet e grurit.

Ushtria ukrainase tha se dy raketa ruse u kapën nga mbrojtja ajrore të shtunën dhe dy të tjera goditën portin tregtar në Detin e Zi.

Kombet e Bashkuara dhe Turqia ndihmuan ndërmjetësimin e marrëveshjes mes shqetësimeve në rritje të pasigurisë ushqimore globale.

“Sekretari i përgjithshëm Guterres dënon pa mëdyshje sulmet e raportuara sot në portin ukrainas të Odessa”, tha në një deklaratë zëvendës-zëdhënësi i tij, Farhan Haq.

“Dje, të gjitha palët morën angazhime të qarta në skenën globale për të siguruar lëvizjen e sigurt të grurit dhe produkteve të lidhura me të në tregjet globale. Këto produkte nevojiten për të adresuar krizën globale të ushqimit dhe për të lehtësuar vuajtjet e miliona njerëzve në nevojë. Zbatimi i plotë nga Federata Ruse, Ukraina dhe Turqia është imperativ”, thuhet në deklaratë.

“BE dënon fuqishëm sulmin me raketa ruse në portin detar të Odesës. Goditja e një objektivi vendimtar për eksportin e grurit një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjeve në Stamboll është veçanërisht e dënueshme dhe përsëri tregon shpërfilljen totale të Rusisë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe angazhimet”, shkroi ne Twitter i dërguari i lartë i BE-së për çështjet e jashtme, Josep Borrell.

Në marrëveshje, Rusia u zotua të lejojë anijet të lundrojnë nëpër një korridori detar të caktuar dhe të mos qëllonte mbi to. Portet e përfshira gjithashtu nuk duhej të sulmoheshin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco