Rrëfimi i kosovarit që punon prej vitesh duke shtruar asfalt në rrugët e Zvicrës

Rrëfimi i kosovarit që punon prej vitesh duke shtruar asfalt në rrugët e Zvicrës

18:37, 23/07/2022

Në muajt e ardhshëm Namir Kasami, së bashku me një numër jo të vogël të punëtorëve të firmës ku punojnë bashkë do të ndërtojnë 1.7 kilometra rrugë, që është një nga kantieret më të gjata në qytetin e Cyrihut.

Siç shkruan Neue Zürcher Zeitung, bëhet fjalë për kryepërgjegjësin me prejardhje nga Kosova i cili ua cakton punën rreth dyzet punëtorëve të rrugës dhe sigurohet që ajo të kryhet në mënyrë korrekte dhe në kohë.

Mediumi zviceran që ka bërë një intervistë me 54-vjeçarin nga Kosova që jeton prej 32 vitesh në Zvicër tregon se pothuajse që nga dita e parë atje, ai punon në ndërtimtari.

Dhe intervista është realizuar në ditën më të nxehtë të vitit deri më tani në këtë vend, ku termometri tregonte një temperaturë prej 35 gradë (në hije).

Si rezultat, ndër pyetjet e para që i është bërë kosovarit është nëse ai e ka nxehtë.

“Trupi mësohet me nxehtësinë kur ekspozoheni në diell për orë të tëra. E njëjta gjë kur është ftohtë dhe bie shi, gjë që e kam shumë më tepër problem, meqë ra fjala. Tani është jashtëzakonisht nxehtë. Mundohem të qëndroj i qetë”, ka rrëfyer në fillim të intervistës së tij Kasami.

Ndërsa rreth faktit se veshin helmeta, këpucë me ‘majë çeliku’ dhe rreth asaj nëse ka ndonjë alternativë për një punëtor ndërtimi, sidomos gjatë verës, Kasami është përgjigjur: “Helmeta është e detyrueshme në kantierin e ndërtimit, sado nxehtë të jetë. Deri vonë nuk na lejohej të vishnim as pantallona të shkurtra. Unë jam shumë më rehat me pantallona të shkurtra”.

Pija – një gjë magjike

“Duhet të pimë të paktën 4 ose 5 litra (ujë) gjatë ditës. Unë gjithashtu i kushtoj vëmendje punëtorëve të mi. Për shkak se kantieri i ndërtimit është i gjerë, ne mbajmë gjithmonë një shishe me vete. Sigurisht që uji, sepse birrat në kantiere sot janë të ndaluara. Na lejohet të nxjerrim ujë edhe nga hidrantët, për të cilat kemi një çelës. Kështu mbushim shishet bosh”, tregon Kasami.

Ndërsa i pyetur rreth faktit se “Sindikata Unia” kërkon që punëtorët e ndërtimit të jenë të liruar nga puna kur temperaturat të arrijnë mbi 35 gradë dhe të ndërpritet puna në kantier, ai është përgjigjur: “E vështirë. Gjithkush ndoshta do të donte të përfitonte nga kjo. Por ka presion kohe në ndërtim. Ju keni një orar të qartë nga klienti se kur diçka duhet të përfundojë. Kështu funksionon në Zvicër, ky është sistemi. Puna është gjithçka, duhet të jesh efikas”.

Sidoqoftë, temperaturat e larta janë të përballueshme në Zvicër për shkak se ato nuk vazhdojnë për një kohë të gjatë.

“Unë gjithmonë them: Në Zvicër nuk është kurrë nxehtë për dy ose tre muaj rresht. Një javë ose dy, dhe pastaj (temperaturat) zbresin përsëri. Kjo është e durueshme”, vlerëson kosovari.

Duke folur po rreth temperaturave të larta dhe vështirësive që mund të paraqesin ato, sidomos gjatë punës me asfalt, ai ka vlerësuar se nëse punoni me asfalt “të butë” i cili vjen me një temperaturë rreth 160 gradë dhe 30 gradë “që vijnë nga lart”, “në mes krijohet një temperaturë rreth 70 gradë”.

Megjithatë, thotë ai, një e mirë është që asfalti ftohet shpejt pas shtrimit, kështu që më pas nuk keni nevojë të keni shumë kujdes.

Çfarë pas punës?

Pavarësisht se mund të ketë një ditë të lodhshme, Kasami ka treguar se nuk lë anash edhe gjërat që kanë të bëjnë rreth zhvillimeve në Kosovë dhe nëpër botë.

Kështu, ai ka treguar se pas punës, kthehet në shtëpi, bën një dush dhe fle për një ose dy orë.

“Më pas, shpesh ulem në kopsht ose bëj kërkime në internet dhe mësoj për ngjarjet botërore. Lufta e Ukrainës, mungesa e punëtorëve të kualifikuar… Shkoj në shtrat midis njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë”.

Mediumi zviceran, gjatë intervistës me kosovarin ka folur edhe rreth prejardhjes së punëtorëve të cilët punojnë bashkë me të.

Në këtë drejtim, ai ka treguar se ata vijnë kryesisht nga Kosova, Maqedonia – duke shtuar se ka edhe portugezë, zviceranë dhe gjermanë, përcjell Telegrafi.

Çfarë është e rëndësishme si shef?

Në intervistën e tij për mediumin zviceran, ai ka thënë se është shumë e rëndësishme që t’i udhëheqësh njerëzit pa i zemëruar apo mërzitur.

“Por unë jam gjithashtu aty për ata. Disa më tregojnë madje edhe për problemet e tyre private. Ose më sjellin letra nga autoritetet që duhet t’ua shpjegoj… Unë jam si baba për ta. Ndjej se më vlerësojnë. Sot shpërndava akullore”.

Pse pikërisht punëtor rrugësh?

“Gjithmonë kam dashur të bëhem punëtor ndërtimi. Edhe si një djalë i ri, kam ndihmuar në kantiere gjatë pushimeve verore. Edhe babai im punonte si punëtor i rrugëve në Gjermani, por familja mbeti në Kosovë. Jam i bindur që njeriu ka lindur për një profesion”, ka thënë në fund të intervistës së tij Kasami.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco