Sadaka në Afrikë: Sa paguajnë kosovarët për ta vendosur emrin në çeshme dhe bunarë

Sadaka në Afrikë: Sa paguajnë kosovarët për ta vendosur emrin në çeshme dhe bunarë

07:28, 22/07/2022

Sigurisht ju ka ndodhur që në “news feed-in” e Facebook-ut tuaj të shihni video me disa çeshme e me bunarë modest të cilët janë të vendosur diku në ndonjë shtet afrikan, ndërsa në pllakat e këtyre çeshmeve dhe bunarëve të shkruhet emri i ndonjë kosovari.

Nëse jo, mund t’i shihni disa prej shembujve që gjenden me një kërkim të lehtë në Facebook. Disa e shkruajnë vetëm emrin e tyre, e disa e shkruajnë emrin e mbiemrin e familjeve, në disa video banorët lokal këndojnë e vallëzojnë me muzike shqipe. Të tjerë japin donacione për të ndërtuar xhamia e në muret e saj e fusin emrin dhe mbiemrin e tyre.

Ideja është pak a shumë kjo: Sipas besimtarëve mysliman, “kushdo që bënë sadaka do t’i llogaritet në Ditën e Kijametit”, dhe “kush sjellë ujë ose hap një bunar” sipas Islamit, do të shpërblehet deri sa është në varr.

Këto janë gjëra të cilat i besojnë shumë besimtarë të besimit Islam, dhe ky besim i fortë, po i shtyn me shumicë kosovarët që të paguajnë me qindra-mijëra euro për të ndërtuar ndonjë çeshme (aka çezme) apo për të hapur hapur ndonjë bunar për ndonjë familje a fis diku në një shtet të Afrikës. Pra për ta thjeshtëzuar, nëse dikush nga familja juaj ka vdekur dhe ju dëshironi që ai/ajo të fitojë xhenetin, ju vendosni emrin e tij/saj në atë pllakë të çeshmes ose ujit. Normalisht duhet të besoni në këtë gjë, para se të jepni paratë.

Në Facebook, ekzistojnë me dhjetëra organizata joqeveritare që quajnë veten bamirëse e që merren me biznesin e hapjes së bunarëve ose ndërtimit të çeshmes.

Nacionale ka dërguar pyetje tek disa prej tyre, por vetëm një nga to, një organizatë e quajtur “Davet” që është me bazë në Maqedoni të Veriut, ka pranuar të flas. Madje ata kanë publikuar edhe çmimet, të cilët duhet të paguash nëse dëshiron që emri i dikujt që ka vdekur të gravohet në muret ose pllakat e këtyre çeshmeve.

Çmimi më i ulët për të bërë sadaka, është 250 euro, ose një Pompë dore me kapacitet 5 familje. 100 euro më shumë është çmimi për pompë më të madhe deri në 15 veta. Nëse paguan 400 euro, të vendoset emri që ju doni në një ujësjellës me dy çeshme. Me 1 mijë e 100 euro të vendoset emri në një pus bunar në Gana të Afrikës, ndërsa me 1 mijë e 500 euro për një bunarë për 50 persona në Benin. Ndërsa nëse dëshiron që emrin e dikujt nga familja juaj ta kujtoj një lagje e tërë në një fshat të Ganas në Afrikë atë mund ta bëni për 2 mijë euro.

“Ideja për emrat në pllakat e çeshmeve vjen sipas dëshirës së donatorëve të cilët kontribuojnë për sadaka të përjetshme me shpresë nga Allahu”, thanë në përgjigjet e tyre “Davet” kur u pyetën nga Gazeta, se cila është arsyeja që shumë kosovarë vendosin emrat e familjarëve në këto çeshme e bunarë.

“Emrat apo çdo shkrim i kërkuar nga donatorët, përshkruajnë një përkujtim për ta”, thanë nga “Davet”. Ata nuk pranuan të japin ndonjë numër të kosovarëve që vendosin të bëjnë sadaka me çeshme dhe bunarë nëpër këto vende ku zakonisht njerëzit nuk kanë qasje në ujë të pishëm.

“Numrin e saktë nuk mund ta themi në këto moment. Por kërkesat janë të shumta”, thanë nga “Davet”.

Kur gazeta pyeti se a ka raste kur dikush financon hapjen e ndonjë bunari ose ndërtimin e ndonjë çeshme, por pa e vendosur emrin e dikujt, në “Davet”, dhanë përgjigje shokuese.

“Gati në 90% të sadakave kërkohet që të vendoset pllaka me emrat e familjarëve”, thonë nga “Davet”.

Kjo bie ndesh edhe me vet fjalët e profetit Muhamed. Një ndër më të famshmet është thënia “Një njeri që jep lëmoshë dhe e fsheh atë, aq sa dora e tij e majtë nuk e di se çfarë lëmoshë jep dora e djathtë”.

Megjithatë ky ajet kuranor duket se nuk po u bën përshtypje shumë kosovarëve të cilët paguajnë çmime të ndryshme që t’u dalë emri në pllakat e çeshmeve ose bunarave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco