Hysamedin Feraj është emër i njohur për publikun kosovar. Në qarqe të ndryshme, filozofi nga Tirana, së bashku me aktivistë të tjerë nga Shqipëria, jozyrtarisht njihet si ideolog i Lëvizjes Vetëvendosje. Por, ai tashmë zyrtarisht mban një funksion në Qeverinë e Kosovës.
Ish-kandidati për deputet nga LVV, që shpeshherë ishte në qendër të debatit për deklarime kontraverse, është pjesë e kabinetit të kryeministrit Albin Kurti.
Afërsia me liderin e VV-së i është shpërblyer filozofit tiranas.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tregoi se ai në këtë funksion është emëruar si këshilltar politik i Kurtit.
“Z. Hysamedin Feraj është i ngarkuar nga Kryeministri me përgjegjësitë e anëtarit të Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar në kapacitetin e tij si këshilltar politik i Kryeministrit Kurti. Ai mban këtë pozitë nga muaji shkurt i këtij viti. Detyrat e tij, si anëtar i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, janë të përcaktuara sipas Protokollit të Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar. Ndërkaq pozitën e Koordinatorit të Sekretariatit Ndërqeveritar e mban, z. Gentian Sala”, tha Kryeziu për Nacionale.
E themeluar nga dyshja Rama e Kurti, Sekretariati Koordinues Ndërqeveritar ka për detyrë monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive.
Përveç si njeri i afërt me Kryeministrin Albin Kurti, Feraj njihet në publik edhe për paraqitjen e tij duke e nderuar me grusht trupin e pajetë të diktatorit komunist Enver Hoxhaj.
Ndonëse nuk arriti të bëhej deputet në zgjedhjet e fundit, ai është shumë i zëshëm në Facebook-un e tij.
Postimi i fundit nga Feraj godet opozitën më 14 korrik, por frekuenca e postimeve tashmë ka rënë.
Duhet të përmendet se në profilin e tij, Feraj ka një mbishkrim interesant në atë që njihet si “intro”.
Duket se aktivisti Feraj nuk ka hequr dorë nga ideja e bashkimit kombëtar, siç tashmë ka bërë lideri i tij, Albin Kurti.
Herë pas here, ai komenton ngjarje të ndryshme politike në vend, duke mos kursyer nga gjuha e ashpër.
Një deklaratë e tij e kishte shtyrë Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ) të reagonte, duke e dënuar gjuhën e urrejtjes që Feraj kishte përdorur ndaj gazetarëve kosovarë./nacionale
© SYRI.net