Takohet diplomatët kosovarë e malazezë, ja për çfarë folën

Takohet diplomatët kosovarë e malazezë, ja për çfarë folën

20:24, 12/07/2022

Zyrtarë të ministrive të jashtme të Kosovës dhe të Malit të Zi janë takuar për të diskutuar për tema të ndryshme, mirëpo në njoftimin zyrtar të MPJ-së nuk përmendet diskutimi për demarkacionin e kufirit.

Tema e korrigjimit të kufirit është përmendur disa herë nga zyrtarë të lartë të të dy shteteve dhe së fundi është njoftuar se komisionet përkatëse do të takohen për të kryer punët në terren, megjithatë kjo ende nuk ka ndodhur.

Ky është njoftimi i plotë i MPJ-së:

Podgoricë, 12 korrik 2022

MPJD e Kosovës dhe MPJ e Malit të Zi mbajnë konsultimet politike

Ministritë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi mbajtën konsultimet politike.

Konsultimet politike u mbajtën në Podgoricë dhe u udhëhoqën nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, dhe Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Malit të Zi, z. Ljubomir Mišurović.

Përgjatë takimit u diskutua për marrëveshjet bilaterale të cilat janë në proces të finalizimit, situatën e sigurisë në rajon, bashkëpunimin në dimensionin multilateral, thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimet e përbashkëta infrastrukturore.

Zëvendësministri Ahmeti e njoftoi delegacionin malazez për planet e Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duke vënë theksin në procesin e tanishëm të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai falenderoi Malin e Zi për mbështetjen e pakusht në këtë proces të anëtarësimit.

Poashtu u diskutua edhe për çështje të sigurisë dhe masat që kanë ndërmarrë të dyja vendet, sidomos pas situatës së krijuar nën hijen e agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Ndikimi i dëmshëm i vendeve të treta në rajonin tonë është shqetësim i përbashkët dhe bashkëpunimi për luftimin e tij është i domosdoshëm.

Të dyja palët u pajtuan që t’i angazhojnë departamentet përkatëse të të dyja Ministrive për bashkëpunim të ngushtë për procesin e integrimeve evropiane dhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e ekonomisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco