Rrëfimi i kosovarit me 'sagën' 1-vjeçare për të marrë një vizë në Ambasadën e Gjermanisë

Rrëfimi i kosovarit me 'sagën' 1-vjeçare për të marrë një vizë në Ambasadën e Gjermanisë

20:00, 12/07/2022

Isuf Mehani nga Prishtina ka një vit që po përpiqet të marrë një vizë në ambasadën gjermane, e cila do t’i mundësonte të vazhdojë jetën në Gjermani. Ai thotë se është i zhgënjyer nga mungesa e mundësive për jetë me dinjitet në Kosovë, dhe se arsyeja për të cilën dëshiron ta lërë vendin është që të sigurojë kushte më të mira të jetesës për të, gruan dhe katër fëmijët e tij.

“Kjo është një alternativë, tash prej të gjitha të këqijave ne duhet të zgjedhim të keqen më të vogël. E di se kjo nuk është e mirë për askënd, por është e domosdoshme, jo që këtë e dëshiron dikush, se nuk besoj që dikush e dëshiron vërtetë”, thotë Isufi.

Ai thotë se para disa vitesh udhëhiqte një ndërmarrje biznesi, por u detyrua ta ndërprejë atë për shkak të një lënde në gjykatë. Ndërsa pret përgjigjen e gjykatës, pa një punë të rregullt dhe me çmimet në ngritje, Isufi thotë se jeta e përditshme është bërë shumë sfiduese.

“Arsyeja kryesore është se nuk ka funksionuar gjykata e policia deri tash, dhe nuk po pritet ende të ndryshojë dicka. Personalisht kam lëndë në gjykatë prej vitit 2010, tash mbi 10 vjet po bëhen”, thotë ai.

Isufi është vetëm një nga qytetarët e shumtë që presin para ambasadave të huaja në Prishtinë, me synim ikjen jashtë shtetit.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në vitin 2021 nga Kosova kanë emigruar 42 mijë e 728 veta, shumica prej tyre në rrugë të ligjshme dhe kryesisht për në vendet e Bashkimit Evropian.

Një hulumtim i organizatës Demokraci Plus në Prishtinë, nxjerr në pah se numri i lartë i largimit të të rinjve nga Kosova do të sjellë pasoja të rënda për të ardhmen e vendit.

Albana Rexha, analiste e politikave publike në këtë organizatë, tha për Zërin e Amerikës se motivet që i nxisin qytetarët të largohen nga Kosova lidhen kryesisht me papunësinë dhe situatën ekonomike. Dukuria e emigrimit, thotë ajo, është më e përhapur tek të rinjtë e arsimuar.

“Kostoja e përgjithshme e arsimit të njerëzve të cilët largohen nga Kosova brenda vitit varion nga 180 milionë deri në 205 milionë euro, varësisht nga struktura e arsimimit të njerëzve që emigrojnë. Do të thotë ajo që ishte dashur të jetë investim për shtetin, shndërrohet në shpenzim”, thotë ajo.

Përveç humbjeve financiare, zonja Rexha thotë se Kosova po humb edhe fuqi punëtore.

“Kjo është humbje e potencialit ekonomik për vendin, gjithë ky largim. Sidomos emigrimi i individëve me arsim të lartë e paraqet humbjen e potencialit për vendin, e paraqet rënien e atraktivitetit të Kosovës për investitorë të huaj dhe në të ardhmen mund të ketë probleme sa i përket produktivitetit dhe inovacionit në përgjithësi në vend. Të gjitha këto janë humbje që i paraqiten vendit në të ardhmen”, thotë ajo.

Pasojat e ikjes së qytetarëve jashtë vendit, kanë filluar të ndihen në sektorin e bareve dhe restauranteve thotë Petrit Kllokoqi, kryetar i shoqatës së gastronomëve. Ai i tha Zërit të Amerikës se kjo është kriza më e madhe e mungesës së punëtorëve në 16 vjet, që ai ka qenë pjesë e këtij sektori.

“Nuk ka qenë kurrë më vështirë se tash. Tani ndër gjërat kryesore që kanë ndodhur është rritja e shpenzimeve, e kemi parasysh se punëtorëve iu ka mbetur paga e njejtë, ndërsa iu janë rritur të gjitha shpenzimet bazike si nafta, ushqimi e gjithcka tjetër, prandaj nuk po mund të mbijetojnë me këto paga. Ne si sektor i gastronomisë kemi nisur me ngritje të pagave por prap se prap nuk janë në pikën e dëshiruar”, thotë ai.

Zoti Kllokoqi thotë se nëse ky trend vazhdon, shumë biznese do të detyrohen të marrin punëtorë nga jashtë ose të kalojnë në vetëshërbim.

“Po e shohim që edhe te ne do të vijë ajo ditë shpejt kur do të na duhet të marrim punëtorë nga jashtë, jemi pra në prag të saj. Te ne ende nuk ka ndodhur liberalizimi dhe nuk e kemi vuajtjen që e ka sektori jonë në vendet fqinje mirëpo edhe ajo pritet. Tjetra është që do të kalojnë në self-service shumica e bizneseve, ku reduktohet numri i punëtorëve. Po shpresojmë që shteti do të na subvencionojë, në këtë rast të ulë TVSH-në (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar) në 8 për qind dhe ato para që i përfitojnë bizneset t’i shndërrojnë në përfitim të punëtorëve në gastronomi ose sektorë të tjerë”, thotë ai.

Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme për vitin 2020, Gjermania prin me numrin e lejeve të qëndrimit të lëshuara për shtetasit e Kosovës. Pjesa dërmuese e tyre janë dhënë për bashkim familjar, ndërsa pjesa tjetër për qëllime punësimi, arsimimi apo të tjera.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco