"Dialogu, Ballkani i Hapur, Udhërrëfyesi shtesë për liberalizimit e vizave”, gjithçka nga deklaratat e Kurtit dhe zyrtarëve evropianë

07:43, 28/06/2022

Një ditë më parë për vizitë në Kosovë ishte emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak. Ai në një postim në Twitter ka shkruar se gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti e ka përgëzuar për arritjen e marrëveshjes për energji me Serbinë javën e kaluar në Bruksel.

“Shumë mirë që u ktheva në Kosovë! E nisa vizitën time duke u takuar me kryeministrin Albin Kurti për të vazhduar diskutimin tonë për rrugën përpara në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Unë gjithashtu e përgëzova atë për arritjen e një marrëveshjeje për energjinë javën e kaluar”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, siç bëhet e ditur në njoftimin e Kryeministrisë, në takim është biseduar për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.

Kurti ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, e cila në qendër ka njohjen reciproke.

Por lidhur me procesin e dialogut e zbatimin e marrëveshjeve një ditë më parë ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kryeministri në një emision në TV Syri ka thënë se Ballkani i Hapur do të dështojë sepse Ballkani nuk mund të hapet ndaj askujt tjetër, pasi është e hapur prej vitesh vetëm ndaj BE-së, SHBA-së dhe NATO-s.

Kurti, deklaroi se Serbinë e njeh shumë më mirë se Rama që shfaqet shpeshherë afër Presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Ai tha se nuk i beson Beogradit pasi edhe kur flet për diçka që duket paqedashëse, gjithçka që bën nga ana tjetër është luftënxitëse.

“Unë besoj që Serbinë e njoh shumë ma mirë sesa kryeministri i Shqipërisë dhe Serbia i ka 48 baza ofensive rrotull kufirit me Kosovën. Unë nuk i besoj Beogradit edhe kur flet diçka që duket paqedashëse ndërkohë që gjithçka që bën është luftënxitës.

Të them të drejtën nuk besoj që partia socialiste është partia e punës mirëpo për sa i përket ta zëmë disa iniciativave rajonale ne nuk pajtohemi”, u shpreh Kurti.

Ai më tej ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës u zotua se s’do lejojë një ‘Serbi të dytë’ në Kosovë si në Bosnjë e Hercegovinë, duke thënë se kanë filluar duke i bashkuar komunat me shumicë serbe drejt krijimit të një entiteti autonom i cili saboton shtetin e Bosnjë Hercegovinës.

“Unë nuk jam kundër serbëve, por Serbia është kundër nesh dhe nuk mund të lejoj një republikë serbe të dytë në Kosovë ngjashëm siç e kanë në Bosnje sepse edhe atje kanë filluar duke i bashkuar komunat me shumicë serbe drejt krijimit të një entiteti autonom, i cili e saboton shtetin e Bosnje Hercegovinës”, deklaroi Kurti.

Tutje tha se, Serbia më herët kishte provuar shkëmbim territorial dhe ndarje të Kosovës por që nuk ia kishte dalë ta bënte.

“Unë besoj se ngjashëm e kanë synimin edhe në Kosovë, pa harruar asnjëherë se krerët në Serbi janë ata që para pak viteve provuan ta bëjnë projektin e shkëmbimit territorial , i cili si ide nuk mund të them se ka vdekur, por si projekt gjithsesi dështoi”, u shpreh kryeministri.

Kurti përmendi Asociacionin për të cilin tha se për Kosovën është i papranueshëm.

E në kohën kur Kosova priste liberalizimin e vizave, një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën paralajmëroi komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, në debatin që u zhvillua të hënën në Parlamentin Evropian.

Derisa u fol për Ballkanin Perëndimor, Varhelyi tha se Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave dhe se duhet ecur përpara me këtë çështje.

Ai tha se janë disa fusha, si lufta kundër krimit të organizuar, anti-trafikimi dhe kërkesat për azil, ku “shtetet anëtare duan rezultate të qarta”.

“Në këto kohëra të vështira dhe në kontekstin e ndryshimeve gjeo-politike, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor”, tha Varhelyi.

“Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që, së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”, shtoi ai.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco