Scholz fillon vizitën me Kosovën, për çka pritet të diskutohet me liderët kosovarë?

Scholz fillon vizitën me Kosovën, për çka pritet të diskutohet me liderët kosovarë?

10:30, 08/06/2022

Nga Berlini kanë bërë të ditur se kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do ta nisë turin në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në Kosovë më 10 qershor. Pas Kosovës, Scholz do e vizitojë Serbinë.

Kështu kanë bërë të ditur nga Zyra për Informim e Qeverisë së Gjermanisë në një përgjigje për lajmi.net, duke thënë se fokus qëndror përgjatë këtyre takimeve do të jetë “tejkalimi i bllokadave dypalëshe” dhe bashkëpunimi rajonal.

“Kancelari Federal Olaf Scholz do të jetë të premten, më 10 qershor në një udhëtim dy ditor në Ballkanin Perëndimor. Ndalesat e para të planifikuara më 10 qershor janë Kosova dhe Serbia. Në Kosovë, ndër të tjera, do t’i vizitojë trupat gjermane të KFOR-it”, sqaron një zëdhënëse e Berlinit.

Kreu i qeverisë gjermane, me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, do ta vizitojë Selanikun.

Stacionet e fundit të kancelarit gjerman do të jetë Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, më 11 qershor.

Sipas njoftimit, përveç tjerash, reagimi i mëtejshëm kundër agresionit rus ndaj Ukrainës do të jetë temë me rëndësi që pritet të diskutohet me liderët e Ballkanit Perëndimor. Lidhur me këtë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ende nuk ka dhënë ndonjë rreshtim publik lidhur me konfliktin ruso-ukrainas.

Vizita e Scholz-it shënohet disa ditë përpara mbledhjes së Këshillit të Europës në Bruksel. Scholz ka thënë se kjo vizitë simbolizon se “Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës”.

“Prandaj, BE-ja tani duhet t’i japë Ballkanit Perëndimor atë që po kërkon. Dhe kjo është ajo për të cilën jam angazhuar: të zhvilloj bisedime për të arritur përparim në negociata dhe gjithashtu të largoj pengesat e fundit brenda BE-së duke ringjallur të ashtuquajturin Procesi i Berlinit, i cili forcon bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe duke udhëtuar në rajon përpara Këshillit Europian në qershor, me një mesazh të qartë nga bagazhi im: Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Europian”, pati deklaruar ai në një konferencë për media.

Në vlugun e takimeve në kuadër të Ballkanit të Hapur, drejtuesi i qeverisë gjermane ka ritheksuar çështjen e ringjalljes së Procesit të Berlinit. Ai këtë e ka përmendur edhe në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, gjatë takimit që patën në Berlin.

“Vullneti është shumë i madh për të bërë ndryshime.  E para është rigjallërimi i procesit të Berlinit. Ne dëshirojmë ta nxisim. Dhe e dyta është çështja e integrimit europian. Kjo është një perspektivë realiste. Ia vlen të merren vendime dhe ia vlen të biem dakord për këtë gjë”, deklaroi Scholz.

Mbështetës i kësaj ideje u shpreh edhe Kurti, ku shfrytëzoi rastin të sulmonte edhe iniciativën “Ballkani i Hapur” nga Berlini.

Kjo është vizita e parë e Scholzit në Ballkanin e Perëndimor në rolin e kancelarit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco