Tahirsylaj: IHMK-ja nuk paralajmëroi për stuhinë, pasi Kosova s’ka asnjë meterolog të diplomuar

Tahirsylaj: IHMK-ja nuk paralajmëroi për stuhinë, pasi Kosova s’ka asnjë meterolog të diplomuar

19:23, 07/06/2022

Profesori i Meterologjisë, Sylë Tahirsylaj, ka thënë që fatkeqësia e djeshme ku një 30 vjeçar vdiq si pasojë e rrëzimit të lisit, është e tmerrshme.

Tahirsylaj në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që i shpreh ngushëllime familjarëve për këtë humbje.

“Problemi qëndron në rrjetet e monitorimit të elementeve dhe dukurive meterologjike.  Në të kaluarën, IHMK-ja  i ka pasë dy qendra radarike – njërën në Dukagjin dhe tjetrën në rrethin e Prishtinës. Këto dy qendra i kanë përcjellë fenomenet që ndodhin në atmosferë – atëherë nuk e ka pasë sistemin e marrjeve të imazheve satelitore nga 17 satelitë që e përcjellin globin tokësor dhe përpjekjet e mia si drejtor i Institutit, për me ngrit sistemin radarik. Por, sipas rezolutës 1244 nuk na është lejuar që ne të kemi qasje në sistemin raketor, për shkak të aviacionit të NATO-s dhe ndërkombëtar”.

“Dhe kështu Instituti s’ka mund të japë mendimin profesional, për arsye se s’ka pasë sistem të mirëfilltë të përcjelljes së reve mbi territorin e Kosovës, por ka pasë mundësi që të shfrytëzojnë sistemin që organizatat botërore në 17 satelitë që i përcjellin, mi përcjell imazhet dhe në bazë të atyre imazheve ka mund të bëhet parashikimi i një situate të tillë. Ndryshimi i erës dhe ndryshimi i temperaturës në mënyrë të hovshme shkakton erën”.

Tahirsylaj ka thënë gjithashtu se duhet të ketë një alarmim i cili do të jetë pozitiv për qytetarët.

“Duhet të bëhet integrimi i shumë departamenteve, përkatësisht të kërkohet ndihma edhe nga aeroporti i Prishtinës pasi ata  24 orë e përcjellin dhe të bëhet një alarmim i cili do të jetë pozitiv për qytetarët. Fatkeqësia që ka ndodhur është e tmerrshme pasi në qendër të qytetit (pylltarët e dinë shumë mirë edhe strukturën e drunjve), goditja e cila ka qenë shumë e shpejtë ka bërë një dëm nga i cili që e ka humbur jetën një qytetar, ku shpreh edhe ngushëllime për familjen e tij”.

Tutje Tahirsylaj ka thënë që dje kur u paralajmërua që stuhia prej Serbisë do të vijë në Kosovë, nuk kishte paralajmërim nga IHMK-ja, pasi në Kosovë nuk ka meterolog të diplomuar.

“Nuk ka pasë paralajmërim, pasi nuk e kanë asnjë meteorolog të diplomuar dhe për këtë shteti duhet të veprojë. Së bashku me profesorin Rasim Bejtullahu kemi punuar një program për mi dhon dy gjenerata të meterologjisë dhe hidrologjisë, por kjo nuk është realizuar”, tha tutje ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco