Arrestohet edhe një i dyshuar për rastin 'Brezovica', ishte duke kaluar kufirin në Vërmicë

Arrestohet edhe një i dyshuar për rastin 'Brezovica', ishte duke kaluar kufirin në Vërmicë

16:42, 01/06/2022

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh edhe një të dyshuar tjetër për rastin “Brezovica”.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se i dyshuari që është ndaluar është me inicialet R.M., dhe dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit”.

“I njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marr reth shtatëdhjetë (70.000) mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë bastisjeve që janë kryer më 26 maj në gjashtë lokacione të ndryshme, i dyshuari në fjalë nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa sot është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë.

Njoftimi i plotë nga Prokuroria:

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, të dyshuarin R.M., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit” në ndihmë nga neni 428 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale në bashkëkryerje “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

I njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marr reth shtatëdhjetë (70.000) mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës.

Po ashtu, vlen të theksohet se i njëjti R.M., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022. ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë (6) lokacione të ndryshme, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa, sot është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit do të paraqesë edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco