Po e marr ujin me vete: Gastronomia s’po ua qet klientëve një gotë ujë me kafe apo bukë

Po e marr ujin me vete: Gastronomia s’po ua qet klientëve një gotë ujë me kafe apo bukë

16:29, 28/05/2022

‘’Sa herë që dal me pi kafe, përlahem me kamarierë pse nuk më sjellin edhe ujë. Mua dhe miqve të mi të tavolinës. Meqenëse, pa pi e hangër jashtë e kam të pamundur, tash ia kam nisë me marr shishen e ujit me vete’’.

Ky është rrëfimi i Vlora Jasharajt për Periskopin, qytetare, e cila ngreh shqetësimin pse gastronomia e Kosovës, me theks të veçantë lokalet e kafeve dhe restorantet në Prishtinë nuk po shërbejnë klientët e tyre me gota uji falas.

Uji, si pije esenciale konsiderohet më se i nevojshëm të konsumohet në çdo kohë gjatë ditës, sidomos tash në ditë të nxehta. Mirëpo kosovarët, shumica me xhep të varfëruar, shto krizën e fundit ekonomike,  nuk po e përballojnë dot që të blenë edhe ujë. Pra, në rast se duan të dehidrohen, në vend të një kafe 1 euro apo 1.20, duhet të paguajnë edhe 1 euro të tjera për ujë. Kjo po u del dyfishë shpenzim.

Po e marr shishen e ujit me vete

Vlora Jasharaj ka treguar se thuajse çdo ditë konfrontohet me idenë që s’kanë me i qitë ujë lokalet ku ajo e ka rutinë të kalojë kohën e lirë, relaksuese, apo edhe takimet për punë. E në vend se të bëhet nervoz, ka gjetur një zgjidhje, ndoshta jo më e mira. Po e merr shishen e ujit me vete në lokal.

‘’Po e porosis kafenë apo ushqimin edhe po e nxjerri shishen prej çantes. Shtek që ia paguaj një ujë 1 euro, s’ka’’, thotë Vlora gogja e mllefosur me këtë situatë.

Tutje ajo kujton se si vendet të shumta të botës, jo një gotë, por një bakall ujë ta vendosin në tavolinë në momentin që veç ulesh.

‘’Unë shëtis shpesh nëpër vende tjera. Në Amerikë të qesin ujë, në Zvicër e gjithëku tjetër’’.

Mos shërbimi i ujit, politikë e gastronomëve për përfitim

Eksperti për mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku  thotë se ky është problem i kahmotshëm, por zgjidhje për të s’po bëhet. Ai thekson se plotë ankesa kanë marrë nga qytetarët për këtë shkak.

‘’Shumica thonë që ujë nuk ka se nuk pihet, edhe ta imponojnë me shitë. Të paktën me kafe do të ishte dashtë që të jetë uji gratis, por ja që ne kemi gastronominë e tillë që çohen edhe kërkojnë heqje nga TVSH’ja  Por edhe TVSH’në e abuzojnë, e shtinë në xhep të vetin. Edhe më herët kemi pranuar shumë ankesa, e kemi pasë reagime. Shteti nuk funksionon për t’ia mundësu një jetë të dinjitetshem konsumatorëve, por gjitha politikat janë për interes të vetin.’’, thotë Kaçaniku.

Kemi ankesa, por kemi edhe marrëveshje me koorporatat që duan t’ua shesim ujin

Shoqata e Gastronomëve ka dhënë disa arsyetime pse nuk ofrojnë ujë gratis për klientët e tyre. Një prej tyre është marrëveshja që kanë me koorporata të ujit.

Arian Vranica për Periskopin e sheh diçka shqetësuese, duke qenë se po pranojnë çdo ditë ankesa nga qytetarët, por në këtë rast sikur janë në mes dy zjarresh.

‘’Ka pasë raportime të klientëve pse nuk po shërbejmë më ujë, sidomos tash që ka ngritje të  temperaturave sidomos ku shërbehet kafeja, e cila shkakton dehidrim edhe më të madh. Mirëpo bizneset tash po kanë bashkëpunim me disa koorporata të cilat furnizojnë me ujë bizneset e gastronomisë edhe krijojnë afarizëm përmes shitjes së ujit të pijshëm. Ndonëse ka qenë edhë më hrët problem, tash po shkakton më shumë telashe, duke qenë se ka rritje të çmimit të furnizimit e rritje të produkteve.’’, ka thënë Vranica.

Ai mendon se në mënyrë të shmangies së ndonjë keqkuptimi me klientët, është mirë që kamarierët t’ua bëjnë me dije qysh në fillim.

‘’Ka edhe vende tjera që kanë ujë të pijshëm e prap se prap shitet uji, mirëpo problem është ndoshta pse kamarierët apo stafi i gastronomisë nuk po pyesin paraprakisht vet klientët se a dëshirojnë edhe uje, qoftë me pagesë apo pa pagesë. Se sa  ë mos ofrohet fare në këto ditë të nxehta. Gjatë verës patjetër që duhet të konsumohet sa më shumë ujë, veçse duhet të kemi parasysh edhe gjendjen ekonomike të bizneseve. Po ka kriza me punëtorë, prandaj edhe ato duhet të menaxhojnë këtë krizë me anë të shitjeve formale’’, shtoi përfaqësuesi i gastronomëve.

Vlen të theksohet se jo gjitha lokalet janë dorështrëngues në këtë aspekt. Ka të tilla në Kosovë që sjellin ujë me bollëk, madje përcjellin edhe fruta  limon apo portokall në të. Por këto mbesin raste të pakta. Ndryshe, në Kosovë thuajse në çdo qytet uji i ujësjellësit është i pijshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco