‘Kurti shkoi në Amerikë për vete jo për Kosovën, prandaj askush nuk e takoi’

‘Kurti shkoi në Amerikë për vete jo për Kosovën, prandaj askush nuk e takoi’

15:20, 24/05/2022 Nga A.Zh

Vizita e Kryeministrit Albin Kurti në SHBA po konsiderohet e tejzgjatur dhe më shumë për konsum të brendshëm politik se sa për të mirën e Kosovës. Për më tepër, asnjë takim i rëndësishëm i nivelit të lartë politik nuk ndodhi gjatë kohës sa Kurti ishte përtej Atlantikut.

 E kjo si duket është një mesazh i administratës amerikane karshi qëndrimeve të Kurtit në lidhje me dialogun dhe jo vetëm, gjë e cila është shqetësuese. Të paktën kështu po e vlerëson profesori universitar, Zenun Halili, në një bisedë me Syri.net Kosova.

Kryeministri Albin Kurti ishte nisur më 6 maj drejt Shteteve të Bashkuara të Aamerikës me ekipin e tij. Vizita e paralajmëruar me pompozitet, përfundoi me disa takime me senatorë e kongresistë, si dhe kompani që nuk kanë interes të vijnë në Kosovë, shprehet Halili.

 “Nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani që një lider kosovar të qëndrojë kaq gjatë në SHBA, sikurse Kurti. Pritjet nga kjo vizitë kanë qenë të mëdha pasi kanë ardhur si pasojë e pompozitetit që vet kryeministri jonë di t’i bëjë. E që edhe ne kishim pritshmëri. Duke i parë takimet, vizitat që i ka bërë në SHBA, shihet që më shumë ka qenë nëpër komunitetin shqiptar. E që lirshëm mund të themi që janë për konsum të brendshëm, sa për t’i bindur sërish diasporën se është njeri i duhur për të qëndruar në pushtet. Takimet që i ka bërë mund t’i bëjë secili nga ne. Vizitat nëpër kompani të cilat nuk kanë as interes të vijnë në Kosovë. Kurti do të duhej që minimalisht të kishte takim me sekretarin e shtetit” – thotë profesori.

Sipas profesor Halilit, nuk ka ndodhur më parë që aleati më i madh i Kosovës të ketë një indiferencë kaq të madhe karshi liderëve tanë, të cilët gjithmonë kanë pasur një derë të hapur në Shtëpinë e Bardhë.

Me shku një kryeministër i Kosovës në SHBA dhe mos me pas mundësinë me taku Presidentin Joe Biden ose të paktën sekretarin Blinken, unë e shoh si dështim, që mos të themi fatkeqësisht shumë shqetësuese”.

Zenuni rendit disa arsye se pse kemi këtë qëndrim të SHBA-ve ndaj Kosovës.

Ky mesazh i qartë i SHBA-ve është për faktin se qëndrimet e ashpra të Kurtit në të kaluarën karshi Amerikës, hedhja e dyshimeve se kishin gisht në rrëzimin e qeverisë Kurti 1, por dhe mos pranimin e  Marrëveshjes së Uashingtonit, gazi amerikan, janë vetëm disa nga pikat që po sjellin këtë rezultat, gjë e cila është shqetësuese për Kosovën” vlerëson profesori për Syri.net.

“Kur je kryeministër i një vendi duhet t’i lësh anash inatet personale dhe të punosh në të mirë të vendit tënd” nënvizon Halili.Image

Ndër të tjera, profesori Halili shprehet se është koha që Kurti të tregojë se a është lider, apo një populist që di të grumbullojë vota, në të kundërtën mund të kemi edhe zgjedhje të parakohshme, duke e rrëzuar veten.

Për Halilin hiq më mirë se Kurti nuk po qëndron as Presidentja Vjosa Osmani dhe ministria e Jashtme, Donika Gërvalla.

Ai për Syrin shprehet se Gërvalla ka treguar që nuk di se çfarë bën, ndërsa nga Presidentja Osmani është pritur të jetë lidere, e jo notere e Kurtit.

“Ministrja Gërvalla është jo serioze në atë që bën, që dëshmon që për këtë qeverisje politika e jashtme nuk është në prioritet. Kurse Presidentja Osmani që është prit të jetë e shkëputur nga partitë, por edhe të ketë një rol shumë të rëndësishme në miqësinë me SHBA-të, ajo po e bën të kundërtën. Me vjen keq ta them por më shumë duket si notere e Kurtit, se sa e para e shtetit” përfundon njohësi i politikës amerikane.

Kurti në këtë vizitë 15 ditore në SHBA ka qëndruar në disa shtete të ndryshme. Atje  mori pjesë në dasma e ahengje dhe takoi disa kompani amerikane. Kohëzgjatja e vizitës u bë edhe pjesë e humorit të përditshëm kosovar, pasi që nuk mbahet mend që një burrështetas i ndonjë vendi të qëndrojë kaq gjatë për vizitë në një shtet tjetër./SYRI Kosova

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco