Akademiku kosovar: Mosmbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë - vendim i drejtë

Akademiku kosovar: Mosmbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë - vendim i drejtë

17:14, 31/03/2022

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Mehmet Kraja, ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë e rajon.

Akademiku Kraja, në një intervistë, ka folur edhe për politikën e brendshme në Kosovë, bashkëpunimin e shqiptarëve në rajon për dialogun Kosovë – Serbi dhe marrëveshjen finale mes dy shteteve.

Lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, siç ka kërkuar Beogradi zyrtar, Kraja tha se vendimi ishte i drejtë.

“Sa i përket zgjedhjeve, unë mendoj se ata e kanë marrë përgjigjen e duhur dhe të drejtë nga institucionet e Kosovës. Sa herë që institucionet e Kosovës mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit, ne i mbështesim”, deklaroi Kraja.

Duke komentuar reagimin e shteteve të QUINT-it, të cilat përmes një komunikate të përbashkët u shprehen të zhgënjyer nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, akademiku Kraja vlerëson se reagimi i tyre ishte i padrejtë dhe i njëanshëm.

“Për punën e zgjedhjeve mendoj që reagimi i shteteve të QUINT-it ka qenë jo proporcional dhe jo adekuat, sepse e drejta për të vendosur për zgjedhjet e një shteti tjetër në shtetin tënd sovran i takon organeve të shtetit dhe askujt tjetër. Reagimi i shteteve të QUINT-it ishte i padrejtë karshi Kosovës”, tha ndër tjera ai.

“Shtetet e QUINT-it kanë bërë një deklaratë që për mendimin e tim është e njëanshme. E njëanshme, jo për shkak se mbështesin apo jo Qeverinë, por për shkak të parimeve. Pra, është shkel parimi i të drejtës së një shteti sovran për të vendosur ka apo s’ka zgjedhje të një shtetit tjetër në territorin e shtetit të tij. Askush nuk doli me deklaratë kundër Malit të Zi, që po ashtu refuzoi zgjedhjet serbe në territorin e vet”, shtoi akademiku.

Kraja ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi, duke thënë se shumica e marrëveshjeve të arritura deri tash në Bruksel janë të dëmshme për Kosovën.

“Është instaluar kjo formë e dialogut që Serbia të mos marrë asgjë seriozisht, ose të merr vetëm atë se çka i intereson. Marrëveshjet kryesisht janë në dëm të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës”, theksoi ai.

Akademiku deklaroi se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë model i punës së keqe. Ndërsa tha se beson që diplomacia kosovare do të ulet dhe do t’i rishikojë këto marrëveshje.

“Unë kam besim te diplomacia e Kosovës dhe institucionet e Kosovës se njëherë do të ndalen dhe do të thonë: të shohim njëherë se çfarë jemi duke bërë. Kur po i shoh marrëveshjet po i shoh dëmet që janë bërë, e që nuk do të duhej të ishin bërë”, ka potencuar ai.

Gjithashtu në intervistën për Telegrafin akademiku Kraja ka treguar  se çfarë duhet të ndryshojë në skenën politike, cilat tema duhet të dominojnë në diskursin publik si dhe për gjendjen e institucioneve të kulturës dhe mediave në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco