Efekti i tmerrshëm i një fenomeni që po përshkallëzon nëpër shkollat e Kosovës

Efekti i tmerrshëm i një fenomeni që po përshkallëzon nëpër shkollat e Kosovës

18:00, 01/02/2022 Nga A.Z

Janë një numër i madh i nxënësve në Kosovë të cilët kanë përjetuar dhunë në shkolla. Të tjerët që nuk kanë përjetuar dhunë janë bërë pjesë e dhunuesve duke bërë video gjatë përleshjeve të nxënësve.  Të gjitha videot e incizuara nga moshatarët e tyre po gjejnë vende në portalet e televizionet kosovare, duke u bërë kështu shumë virale. Kjo po dëmton edhe nxënësit viktimë por edhe nxënësit e tjerë, duke u ushqyer kështu me dhunë e arrogancë, shkruan syri.net Kosova.

Këto sjellje agresive të nxënësve dita e ditës veç po rritën, kështu thotë edhe Ilir Havolli, psikolog klinik në Shoqaten e Psikologëve të Kosovës.

Situatë shqetësuese

Sipas psikologut, shqetësuese është edhe publikimi i videove duke shpërndarë kështu negativitet dhe duke u bërë model i dhunës.

“Sjelljet agresive çdo ditë e me tepër janë duke u rritur në mase të madhe, e kur kësaj i shtohen edhe veprimet e ndryshme siç janë bërja video dhe hedhja në rrjete sociale, atëherë kjo merr masa shqetësuese dhe ndikon në mënyre shumë negative si tek individët që janë prezent në ngjarje ashtu edhe tek ata qe e shikojë videon, duke u bërë kështu model realizimi në skenar jetësore në trajta agresive deri në modelimin e dhunës”, ka thënë psikologu për syri.net Kosova.

Tutje, Havolli thotë se personat e dhunuar pësojnë goditje fizike por edhe emocionale, duke pësuar kështu edhe ulje të vetëbesimit.

“Ndërsa në anën tjetër për vet personat e dhunuar kjo është një goditje emocionale me përmasa afatgjate duke ndikuar kështu në mënyrë direkete në uljen e vetëbesimit dhe vetvlersimit për veten dhe duke kontribuar në uljen e përfomances në shkollë e deri në braktisjen e saj”, tha ai.

Psikologu tregon se dhuna nuk është vetëm duke e lënduar dikë në mënyrë fizike, nxënësit në shkolla nga bashkëmoshatarët e tyre përjetojnë edhe dhunë psikologjike, seksuale e forma të ndryshme ngacmimi.

“Dhuna në shkollë përfshin dhunën mes nxënësve të shkollës, duke përfshirë rrahjet dhe lëndimet trupore; dhunën psikologjike, abuzimin verbal; dhunën seksuale, duke përfshirë përdhunimin dhe ngacmimin seksual; forma të ndryshme të ngacmimit, përfshirë këtu sulmin në internet; si dhe mbajtja e armës në shkollë. Në kuadër të dhunës në shkolla futet edhe sulmi fizik i nxënësve ndaj stafit pedagogjik e arsimor të shkollës. Dhuna në shkollë, në shumë vende të botës konsiderohet si një problem serioz i dekadave të fundit, veçanërisht kur përfshihen armë të zjarrit ose thika”, tha tutje psikologu.

Ky fenomen me rrezikshmëri të lartë pritet të shënoj rritje sipas psikologut, përderisa institucionet nuk vënë në krye të çdo shkolle ndonjë psikolog.

“Për aq kohë sa kemi neglizhencë të këtyre situatave, për aq kohë sa psikologët nuk angazhohen në shkolla, për aq kohe sa institucionet tona këta shembuj i marrin si numra por nuk marrin masa parandaluese, atëherë ky fenomen ka rrezikshmëri të lartë që të shënoj rritje me përmasa shqetësuese”, tha lir Havolli, psikolog klinik ( Shoqata e Psikologëve të Kosovës).

Policia e Kosovës/ 413 incidente të ndryshme në shkolla në nivel vendi

E sipas Policisë së Kosovës në një përgjigje për syri.net Kosova thuhet se në gjithë territorin vetëm gjatë vitit 2021 janë raportuar gjithsej 413 incidente në shkolla.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se nga 01.01. 2021 e deri me 31.12.2021 jane raportuar gjithsej 413 incidente të ndryshme në shkolla në nivel vendi.

Policia e Kosovës në fillim të çdo viti shkollor harton dhe aktivizon Plane Operative me qëllim të parandalimit të dukurive negative në shkolla dhe ngritjes së nivelit të sigurisë. Po ashtu edhe nga Drejtoria e Policimit ne Bashkësi dhe Preventive në vazhdimësi realizohen projekte të ndryshme sensibilizuese dhe parandaluese në shkolla”, thuhet nga Policia e Kosovës. 

Një rast të tillë të freskët kemi para pak ditësh në fshatin Godanc i Poshtëm në komunën e Shtimes. Në video krahas dhunës brutale shihet se si nxënësit e tjerë që ishin prezent, jo vetëm që nuk e ndalin dhunën, por e nxisin atë duke bërë edhe video.

VIDEO

Një rast tjetër i tillë ishte edhe në Komunën e Prizrenit, konkretisht në shkollën e mesme teknike “11 Marsi”, ku  dy vajza të mitura e torturojnë një bashkëmoshatare të tyre nën kërcënimin e thikës.

Ky rast është lajmëruar në Polici nga kujdestarja e tyre.

VIDEO

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 25.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 24.02.2022, ndaj të miturave E.J., dhe L.C.

“Caktimi i masës së paraburgimit ka ndodhur për shkak të dyshimit të bazuar se: Të miturat E.J., dhe L.C., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kanosja nga neni nga neni 181 par.4 lidhur me par.1 dhe nenin 31. E mitura E.J., edhe për veprën penale mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve neni 366 par.1 të Kodi Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco